Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Apeli në kolaps- Gjykata pranon se infrastruktura nuk i shërben qytetarëve
Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë po përballet me një situatë të rënduar funksionale, ku vetë institucioni pranon se kushtet aktuale nuk janë në përputhje me kërkesat e shërbimit ndaj qytetarëve.
Në një përgjigje zyrtare drejtuar “Asociacionit Kombëtar të Medias dhe Drejtësisë”, theksohet qartë se: “aktualisht kushtet infrastrukturore nuk i përgjigjen nevojave funksionale të Gjykatës dhe shërbimit ndaj qytetarëve”.
Kjo situatë vjen në një kohë kur Apeli funksionon si një gjykatë me juridiksion të përgjithshëm për të gjithë vendin, duke përballuar një volum të lartë çështjesh me kapacitete të kufizuara.
Gjykatë mori edhe një impakt negativ për shkak të vonesave të tejzgjatura të gjykimit të dosjeve penale dhe civile. Por ajo që i vuri vulën e dështimit kësaj gjykate dhe sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, ishte pikërisht vrasja në sallën e gjyqit të anëtarit të kësaj gjykate, gjyqtarit Astrit Kalaja.
Fiter Bajrami, kreu i KMSH uron besimtarët- Zoti pranoftë agjërimin, adhurimet dhe lutjet tona!
Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, ka uruar besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët me rastin e festës së Fitër Bajramit.
Në mesazhin e tij, Spahiu shprehu dëshirën që kjo ditë e shenjtë të sjellë paqe, harmoni dhe gëzim në çdo familje shqiptare, si dhe mirësi dhe begati për të gjithë.
“Me rastin e Fitër Bajramit ju përcjell urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve myslimanë dhe mbarë shqiptarëve kudo që jetojnë e punojnë. Uroj që kjo ditë të sjellë paqe, harmoni dhe gëzim në çdo familje, si dhe begati e mirësi në jetën tuaj. Zoti e pranoftë agjërimin, adhurimet dhe lutjet tona përgjatë gjithë këtij muaji të bekuar!”, u shpreh ai.
Siguria kibernetike- Raporti zbulon ku renditet Shqipëria në nivel global
Shqipëria renditet e 9-të në botë sa i përket sigurisë kibernetike, sipas National Cyber Security Index (NCSI), me një rezultat prej 92.5 pikësh.
Ky pozicionim përfaqëson një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme, duke reflektuar një ngjitje të qëndrueshme nga vendi i 54-t në vitin 2023 dhe vendi i 15-të në vitin 2025, drejt një renditjeje ndër vendet më të avancuara në nivel global në këtë fushë.
Vlerësimi i NCSI bazohet në analizën e kapaciteteve kombëtare për menaxhimin e rreziqeve kibernetike, përfshirë kuadrin ligjor dhe politik, mbrojtjen e shërbimeve thelbësore, menaxhimin e incidenteve kibernetike, si dhe zhvillimin e kapaciteteve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Gjatë kësaj periudhe, strukturat përgjegjëse kanë menaxhuar me sukses një sërë incidentesh dhe kërcënimesh kibernetike, duke forcuar kapacitetet për identifikimin, analizimin dhe reagimin në kohë reale. Përvoja e krijuar nga këto raste ka kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe në rritjen e qëndrueshmërisë së sistemeve të informacionit në nivel kombëtar.
Shqipëria vlerësohet për progresin në forcimin e strukturave përgjegjëse për sigurinë kibernetike, zhvillimin e politikave dhe strategjive kombëtare, si dhe për përmirësimin e mekanizmave të koordinimit dhe reagimit ndaj kërcënimeve në hapësirën digjitale.
Peleshi përjashtoi opozitën nga delegacioni në Bundestag- PD revoltohet me Kryetarin e Kuvendit: E paprecedentë!
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike përnes një reagimi në publik ka sqaruar mungesën e opozitës në delegacionin zyrtar të Kuvendit të Shqipërisë në Bundestag.
PD akuzon Niko Peleshin për një akt të paprecedentë për një Kryetar Kuvendi, që hoqi qëllimisht dy emrat e përcaktuar nga opozita, që PD të përjashtohej nga përfaqësimi institucional.
Sipas grupit parlamentar demokrat, më 4 mars, vetë kreu i Kuvendit Peleshi u kishte dërguar një kërkesë për të caktuar dy deputetë në këtë delegacion.
Nga ana e kryetarit të grupit parlamentar Gazment Bardhi, u caktuan Tomorr Alizoti (nënkryetar i grupit parlamentar dhe njëherazi nënkryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri – Gjermani) si dhe Klevis Balliu (Nënkryetar i Komisionit të Sigurisë dhe njëherazi anëtar i Grupit të Miqësisë Shqipëri – Gjermani).
“Emrat e përfaqësuesve të Partisë Demokratike u hoqën qëllimisht për ta përjashtuar PD nga përfaqësimi institucional. Fatkeqësisht, ky vendim tregon sa vite dritë larg standardeve demokratike të Bundestagut gjerman është sot drejtimi i maxhorancës parlamentare.", thuhet në reagim.
Grupi Parlamentar i PD-së e cilëson këtë vendim si një shenjë larg standardeve demokratike të Bundestagut gjerman dhe thekson se trajtimi i opozitës “si armik” nuk zhbën problemet e lidhjeve të maxhorancës me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje