TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Mars 2026, 12:53

A po dështon “Paketa e Maleve”: investitorët kërkojnë paraprakisht certifikatat e pronësisë për tokat

Shkruar nga Pamfleti

 A po dështon “Paketa e Maleve”: investitorët

Një vit pas hyrjes në fuqi të ligjit, nuk ka asnjë aplikim për tokat e piketuara, sepse investitorët kërkojnë certifikata pronësie dhe nuk pranojnë të futen në konflikte toke...

Informacionet nga bashkitë që kanë dorëzuar listat me sipërfaqet e tokave, në kuadër të projektit “Paketa e Maleve”, tregojnë se po dështon kjo skemë grabitëse, paçka se kryeministri Edi Rama u ka premtuar klientëve të tij t’u dhurojë toka e pasuri dhe t’u falë taksa.

Një vit pas miratimit të Ligjit nr. 20, datë 13 mars 2025, nuk është dorëzuar asnjë aplikim për marrje sipërfaqesh toke, pyjesh e kullotash, të piketuara për investime private me projektet e Paketës së Maleve.

Ata individë e subjekte, që kanë nisur kontaktet me drejtuesit e pushtetit lokal e drejtues të pushtetit qendror për të marrë sipërfaqe tokash nëpërmjet Paketës së Maleve, kanë frikë të investojnë në toka që nuk i kanë në pronësi të tyre.

Duke e ditur që bashkitë nuk kanë kompetenca e fuqi ekzekutive për të dhënë garanci pronësie kadastrale për tokat, ata që kanë interes të investojnë po i kërkojnë qeverisë që, para dhënies së lejeve të zhvillimit, të pajisen me certifikata pronësie.

Por në ligjin “Paketa e Maleve”, qeveria ka përcaktuar kryerjen e investimeve me statusin “jo pronarë”, pastaj nisjen e proceseve për pajisjen me certifikata pronësie të tokave.

Ky kusht ka krijuar dyshime dhe frikë te subjektet private, për të mos filluar investimet pa u pajisur paraprakisht me certifikata pronësie të sipërfaqeve që kërkojnë, sepse gjatë investimeve e aktiviteteve të bizneseve mund të përballen me konflikte pronësie nga banorët e zonave.

Për të mos iu futur telasheve që krijon projekti “Paketa e Maleve”, investitorët nuk janë joshur as nga neni 15 i ligjit, që thotë se 500 aplikuesit e parë, për 10 vite biznes, nuk do të paguajnë taksën e ndikimit në infrastrukturë, taksën e pasurive të paluajtshme, TVSH-në dhe tatimin mbi të ardhurat.

Sepse më të rëndësishme për ta janë certifikatat e pronësisë për tokat ku synojnë të investojnë, pasi u rrezikohen investimet nga konfliktet për tokat, që pavarësisht se deri më tani janë publike, kanë pronarë historikë e trashëgimtarë, shumica e të cilave janë në procese gjyqësore.

Një vit pas miratimit të Ligjit nr. 20, datë 13 mars 2025, vetëm 18 bashki e kanë zbatuar projektin “Paketa e Maleve”, megjithëse Edi Rama u bëri presion kryebashkiakëve socialistë se nuk do t’i kandidojë përsëri dhe do t’i çojë para drejtësisë, nëse nuk do të caktojnë zonat dhe sipërfaqet për investime.

Pasi grabiti bregdetin dhe ish-ndërmarrjet shtetërore, përmes skemave të “investimeve strategjike” e kontratave “1 euro”, kryeministri Edi Rama ka kaluar në fazën tjetër të grabitjes së maleve e sipërfaqeve pyjore nëpërmjet ligjit “Paketa e Maleve”.

Ky ligj është kopje e projektit “100 fshatrat turistikë”, që në periudhën 2017-2023 u përdor për të legalizuar grabitjen e 2200 hektarëve tokë publike për ndërtimin e resorteve në zonat rurale./Pamfleti

 

paketa e maleve

Lini një Përgjigje