TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Mars 2026, 13:49

Çmimet i çojnë drejt falimentit, fermerët e Dimalit dhe Roskovecit paralajmërojnë masa ekstreme

Shkruar nga Pamfleti

Çmimet i çojnë drejt falimentit, fermerët e Dimalit dhe

Fermerët e Dimalit dhe Roskovecit protestuan mesditën e sotme në fshatin Samaticë, duke kundërshtuar çmimet e ulëta me të cilat, sipas tyre, pikat e grumbullimit po blejnë prodhimet bujqësore.

Ata theksojnë se çmimi i trangullit ka rënë në rreth 60 lekë për kilogram dhe ndryshon vazhdimisht nga dita në ditë, duke rritur pasigurinë për të ardhurat.

Të revoltuar nga situata, fermerët shprehen se vijnë nga një sezon i vështirë përmbytjesh, pa përfituar asnjë dëmshpërblim, ndërsa kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga shteti për të rregulluar tregun.

“Nëse vazhdon kështu, do të bojkotojmë prodhimin, do të mbyllim serat dhe do të marrim rrugën e emigracionit”, u shprehën protestuesit.

Në protestë u bashkuan fermerë nga disa fshatra të dy bashkive, të cilët e kanë bujqësinë burimin kryesor të të ardhurave. Sipas tyre, rreth 500 hektarë tokë të mbjella me produkte sezonale, kryesisht për eksport, janë në rrezik.

Fermerët paralajmërojnë se kjo është vetëm faza e parë e reagimit dhe, nëse nuk ka zgjidhje konkrete nga institucionet, protestat do të përshkallëzohen në ditët në vijim.

 

Lini një Përgjigje