Sot në mbledhjen e qeverisë janë marrë dy vendime, që u mundësojnë ukrainasve të strehohen lirisht në Shqipëri...
Pak ditë pas takimit Rama-Zelensky, Shqipëria duket se ka hapur dyert për të gjithë ukrainasit që i ikin luftës. Mes presidentit ukrainas dhe kryeministrit shqiptar është diskutuar për shumë çështje, teksa vëmendjen më të madhe e mori pakti për prodhimin e armëve dhe municioneve. Mirëpo vetë Presidenca Ukrainase në njoftimin e saj bëri me dije se Shqipëria ka rënë dakord që të presë dhe të strehojë ushtarët ukrainas dhe fëmijët që janë plagosur gjatë luftës.
Sot në mbledhjen e qeverisë janë marrë dy vendime, që u mundësojnë ukrainasve të strehohen lirisht në Shqipëri. Qeveria ka ndryshuar një vendim të marrë dy vite më parë, duke shtyrë dhe me 3 vite heqjen e kufizimeve për ukrainasit që vijnë te ne.
“Në pikën 1, të vendimit nr.169, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e afatit të hyrjes dhe qëndrimit të shtetasve të Ukrainës në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, togfjalëshi “… 2 (dy) vjet …” zëvendësohet me “… 3 (tre) vjet …”. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në VKM.
Po ashtu është marrë një vendim tjetër, ku bëhet me dije se të gjithë urakinasve që do të vijojnë apo kanë ardhur në vendin tonë, do u jepet mbrojtje nga shteti. Po ashtu janë shtyrë afatet e qëndrimit për ata persona që janë aktualisht në vend.
“Pas pikës 3/2, të vendimit nr.173, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënien e mbrojtjes së përkohshme shtetasve ukrainas, personave pa shtetësi dhe personave që kanë fituar mbrojtje ndërkombëtare në Ukrainë, me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Ukrainë, si dhe për krijimin e task-forcës për menaxhimin e fluksit të kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare”, të ndryshuar, shtohet pika 3/3, me këtë përmbajtje:
“3/3. Me përfundimin e afatit të përcaktuar në pikën 3/2 të këtij vendimi, personave që ndodhen ende në territorin e Republikës së Shqipërisë u shtyhet qëndrimi deri në datën 17.9.2024.”.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në VKM.
Duket theksuar se 2 vite më parë kur nisi lufta, Shqipëria nuk krijoi asnjë pengesë për ukrainasit dhe shumë prej tyre kanë ardhur te ne. Por pas takimit me Zelenksyn, Rama ka marrë vendim që ata të vijojnë të qëndrojnë dhe të priten të tjerë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje