
Drejtoritë Vendore të Policisë së vendit tonë ende vazhdojnë të përdorin telefona fiks dhe celularë pa pagesë për të pritur thirrjet e qytetarëve. Në këto kushte, operatorët e sallave të komandimit nëpër DVP nuk arrijnë gjithmonë të plotësojnë sistemin e menaxhimit të çështjes me të gjitha të dhënat e telefonatave...
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka hasur problematika sa i takon shërbimit policor në komunitet. KLSH ka kryer një auditim me temë “Shërbimi i Policisë në Përgjigje të Qytetarëve”, i cili ka pasur si objektiv kryesor të tij vlerësimin e veprimtarisë së strukturave përgjegjëse të Policisë së Shtetit në shërbim të qytetarit të cilët raportojnë, denoncojnë apo përcjellin ankesat e tyre përmes kanaleve të komunikimit si: numrit unik të emergjencave 112, numrave të tjerë të reklamuar nga policia, portalit të bashkëqeverisjes, komisariatit dixhital dhe ankesave dorazi nga qytetarët. Subjekt i këtij auditimi ka qenë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe tre drejtori vendore të policisë (Tiranë, Shkodër dhe Durrës).
Por KLSH ka zbuluar se jo gjithmonë strukturat policore u janë përgjigjur qytetarëve. Më konkretisht nga auditimi është konstatuar se Policia e Shtetit nuk ka garantuar përditësim të duhur të bazës së saj rregullatore për trajtimin e ankesave anonime dhe atyre që vijnë nga Portali i Bashkëqeverisjes, duke mos siguruar kështu koherencë në trajtimin e këtyre ankesave, në veçanti lidhur me respektimin e afateve për trajtimin e tyre dhe identifikimin e strukturës përgjegjëse për trajtim.
Gjithashtu, janë konstatuar mangësi në fushën e burimeve njerëzore sa i takon mos plotësimit të strukturave, rotacionit të lartë të stafit dhe trajnimet specifike në veçanti ato që trajtojnë çështjet e numrit unik të emergjencave. Kjo problematikë nuk ka krijuar kushtet e duhura për një menaxhim efektiv të ankesave të qytetarëve, sidomos atyre që vijnë nëpërmjet kanaleve telefonike të komunikimit si për shembull numri unik i emergjencave 112, si dhe nuk ka favorizuar konsolidimin e këtij shërbimi.
Përveç këtyre mangësi është evidentuar se, sistemi i numrit unik të emergjencave 112, i cili duhet të funksiononte në të gjithë vendin tonë, aktualisht funksionon me sistem teknologjik për administrimin e thirrjeve emergjente vetëm në Tiranë. Mos funksionimi i plotë i tij me sistem teknologjik për administrimin e thirrjeve emergjente në të gjithë vendin tonë nuk ka garantuar përmirësimin e jetesës së qytetarëve, pasi nuk është garantuar akses i pakufizuar në shërbimet policore nëpërmjet një kanali komunikimi të unifikuar për të gjitha strukturat vendore të policisë.
“Aktualisht, Drejtoritë Vendore të Policisë së vendit tonë ende vazhdojnë të përdorin telefona fiks dhe celularë pa pagesë për të pritur thirrjet e qytetarëve. Në këto kushte, operatorët e sallave të komandimit nëpër DVP nuk arrijnë gjithmonë të plotësojnë sistemin e menaxhimit të çështjes me të gjitha të dhënat e telefonatave. Në lidhje me këtë aspekt gjatë auditimit është konstatuar se ka telefonata që nuk rezultojnë të regjistruara në sistem; ka raste kur komunikimi me qytetarin nuk është arritur, telefonata nuk është regjistruar në sistem dhe telefonuesi nuk është rimarrë nga salla operative etj. Gjithashtu, është evidentuar se përgjithësisht koha e reagimit të strukturave të policisë ndaj telefonatave të qytetarëve ka qenë më e lartë se koha e synuar prej 13 minutash”, shprehet KLSH.
Në lidhje me kanalet e tjera të komunikimit të vendosura në dispozicion është konstatuar se aplikacioni “Komisariati Dixhital” aktualisht nuk është në funksion, për shkak të sulmeve kibernetike të vitit 2022. Ky aplikacion ka funksionuar pa ndërprerje nga viti 2016 deri më datë 14 korrik 2022 e në vazhdim.
Po kështu ka rezultuar se ngritja dhe funksionimi i Sistemit të Sigurisë në Komunitet nuk është realizuar sipas planifikimeve të kryera nga Policia e Shtetit, pasi nuk është arritur të konsolidohet funksionimi i plotë i zyrave policore.
“Gjithashtu, strukturat e Policisë nuk kanë ngritur dhe nuk kanë bërë funksional Sistemin e Matjes së Sigurisë në Komunitet (SKMS) si një sistem i cili, nëpërmjet anketimeve të qytetarëve, ka për qëllim të masë performancën e shërbimit të policimit dhe kënaqësinë e opinionit publik. Mos ngritja dhe konsolidimi i Sistemit të Matjes së Sigurisë në Komunitet nuk ka lejuar Policinë e Shtetit të ngrejë bazën e të dhënave të këtij sistemi, për ta përdorur atë në mbështetje të planifikimit strategjik të punës dhe funksionimit të brendshëm të institucionit”, thekson KLSH.
Për përmirësimin e situatës dhe trajtimin e problematikave të evidentuara gjatë këtij auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka hartuar rekomandimet përkatëse me synim rritjen e eficiencës dhe efektivitetit të përgjigjes së Policisë së Shtetit kundrejt qytetarëve. /Pamfleti
Lini një Përgjigje