
Ministri i Financave Ervin Mete është paraqitur ditën e sotme në SPAK dhe pak minuta më parë ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Sipas raportimeve, ministri Mete ndodhej në SPAK në lidhje me çështjen e inceneratorëve. Raportohet se marrja e tij në pyetje ka të bëjë me kohën kur ai shërbente si zëvendës ministër në Ministrinë e Ekonomisë kur kjo e fundit drejtohej nga Arben Ahmetaj.
Mete prej shtatorit 2023 mban postin e Ministrit të Financave. Përpara kësaj detyre, ai ka qenë Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), i votuar më 28 maj 2020 nga Kuvendi i Shqipërisë.
Më herët, Mete ka mbajtur edhe postin e Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, prej shtatorit të vitit 2019.
Të gjithë personat e përfshirë në aferën e inceneratorëve, i kanë ngjitur shkallët e SPAK-ut, kush nën hetim e kush si person në dijeni, të gjithë janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme.
Pak ditë më parë, në SPAK u thirr edhe ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri i cili u pyet për 6 orë e gjysmë në SPAK për të njëjtën çështje.
Kujtojmë se SPAK ka hetuar veçmas incineratorin e Fierit, Elbasanit dhe atë të Tiranës. Të trija skemat i kanë kushtuar taksapaguesve mbi 150 milionë euro.
Në rangun e drejtuesve të lartë lidhur me këtë çështje, ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka është dënua me 6.8 vite burg nën akuzat për korrupsion e pastrim parash. Ndërkohë që në kërkim janë shpallur Klodian Zoto, Stela Gugallia si dhe biznesmenin Mirel Mërtiri.
Lini një Përgjigje