
Pas dhunës shtazore ndaj dy kushërinjve Maja, ministri i Brendshëm Bledi Çuiçi dhe kreu i Policisë Muhamet Rrumbullaku kanë “shkrirë” komisariatin e Krujës. Policia bën me dije se do të rinovohet e gjithë trupa drejtuese. Drejtimin do e marrë përkohësisht Drejtori i Policisë Tiranë, Tonin Vocaj.
Por absurdi është se policia nuk po gjen dot djalin dhe vëllezërit e deputetit të dorëhequr Rrahman Rraja, duke ju bërë thirrje të dorëzohen.
“Gjithashtu në vijim të masave të marra do rinovohet e tërë trupa e niveleve zbatuese dhe drejtuese të Komisariatit të Policisë Krujë dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj është drejtuesi operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë, në juridiksionin territorial të këtij komisariati.
Policia e Shtetit i bën thirrje shtetasve Xhelal Rraja dhe Rexhep Rraja, si organizatorë të kësaj ngjarje të rëndë kriminale për tu dorëzuar sa më parë në Policinë e Shtetit së bashku me personat e tjerë të shpallur në kërkim pasi çdo orë që kalon rëndon akoma më shumë pozitën e tyre penale.
Policia e Shtetit kërkon mbështetjen e publikut për dhënien e informacioneve për vendndodhjen e këtyre personave dhe për çdo informacion të telefonojnë në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë”, njofton policia.
Lini një Përgjigje