
Rrahman Rraja ka dorëzuar mandatin e deputetit pas skandalit të ndodhur dy ditë më parë në Krujë. Djali, vëllezërit dhe të afërmit e tij dhunuan barbarisht dy fshatarë të Borizanës.
Në një deklaratë për mediat, ai i kërkon të birit të dorëzohet, ndërkohë që i kërkon falje dhe kryeministrit Edi Rama për shqetësimin që i ka shkaktuar. Po ashtu Rraja shprehet i turpëruar për sjelljen e djalit të tij.
"Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë këto vite. Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve te grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike. Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet. Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time. I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhëntë forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që më la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova", njoftoi Rraja.
Lini një Përgjigje