
Pas Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit, nesër do të ngjisë shkallët e SPAK, biznesmeni Fatmir Bektashi. Ai i cili në bashkëpunim me dhëndrin e Berishës ndërtuan kullat masive te ish-kompleksi “Partizani”. Edhe ai pritet të merret zyrtarisht i pandehur.
Sipas SPAK, Bektashi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi është pikërisht ai që ka bashkëpunuar me shtetasin J. M. për arritjen e qëllimit, i cili ka qene shfrytëzimi i territoreve sportive për kryerje ndërtimesh. Nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. i ka siguruar shtetasit J. M., dhënien e përfitimeve të paligjshme në shumën totale 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.
Gjithashtu ai dyshohet se ka konsumuar edhe veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal në bashkëpunim me shtetasin J. M., pasi ka mundësuar nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. realizimin e fshehjes së origjinës së vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të shtetasit J. M., duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.
Lini një Përgjigje