
Ka ndërruar jetë pas tre muajsh heroi Arjan Kraja, i riu që shpëtoi nga mbytja në Velipojë dy fëmijë të mitur. Prej afro tre muajsh ai ndodhej në koma, si pasojë e një ishemie, të shkaktuar pas shpëtimit mrekullisht të fëmijëve.
I ndjeri ishte punonjës i OSSH ndërsa lajmi është bërë i ditur nga drejtori i OSHEE Shkodër. Në një reagim publik, ai shprehu ngushëllimet në emër të gjithë stafit, duke e kujtuar të ndjerin për përkushtimin, profesionalizmin dhe mirësinë që e karakterizonte.
”Me keqardhje të thellë Ekipi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes OSSH, ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të kolegut të dashur, Arjan Kraja.
Gjatë viteve të tij në detyrë si shef grup, Arjani u dallua për përkushtimin profesional, ndershmërinë në punë, si dhe mirësinë e tij njerëzore, që e bënte të respektuar e të dashur nga të gjithë kolegët.
Në këto momente të dhimbshme, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të tij”, thuhet në reagim.
Arjan Kraja ndodhej në koma prej tre muajsh, pasi kishte hyrë në det në plazhin e Velipojës për të shpëtuar dy fëmijë që po rrezikonin të mbyteshin. Ai arriti të shpëtonte jetët e tyre, por vetë përfundoi në gjendje të rëndë shëndetësore, duke mos arritur të rikuperohej.
Ngjarja ka tronditur kolegët, miqtë, qytetarët e Shkodrës dhe jo vetëm.
Lini një Përgjigje