
Disa takime në zyrat e SPAK apo foto të publikuara nga vetë Ambasada në Tiranë me prokurorë të caktuar, janë përkthyer mediatikisht si një mbështetje që u jepet emrave të veçantë, duke tentuar në këtë mënyrë të krijohet idea se cili është më i favorizuari.
Brenda 18 dhjetorit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të zgjedhë drejtuesin e ri të SPAK, në një garë ku janë 4 kandidatë, secili prej tyre me eksperiencë qoftë në hetimin ndaj krimit të organizuar, ashtu edhe për korrupsionin.
Në garën për kreun e SPAK janë zyrtarizuar Adnan Xholi, drejtues i seksionit kundër krimit të organizuar, Klodian Braho drejtues i seksionit kundër korrupsionit, si dhe prokurorët Doloreza Musabelli dhe Elvin Gokaj.
Kjo është hera e parë që në garën për kreun e SPAK marrin pjesë 4 prokurorë, ndërsa dy prej tyre e kanë tentuar edhe më parë këtë pozicion drejtimi.
Klodian Braho e tentoi në 2019 përballë Arben Krajës, por u tërhoq nga gara, ndërkohë që Adnan Xholi e tentoi në 2022 kur në konkurrim ishin Altin Dumani dhe Ervin Kondili. Nga votimi në KLP në 2022-in, Xholi mori mbështetjen e vetëm një prej anëtarëve, ndërsa e gjithë ‘loja’ zhvillohej mes Dumanit dhe Kondilit. Një lëvizje në momentet e fundit nga ish-diplomatja Yuri Kim, përmbysi në atë kohë balancat, duke e ndarë garën me vetëm 1 votë në favor të kreut aktual të SPAK, Altin Dumani, duke dhënë sinjalet se ai ishte i preferuari i amerikanëve në garën e 3 viteve më parë.
Në garën aktuale për kreun e SPAK, e cila është e fundit sa i takon Prokurorisë Speciale, pasi struktura ka një mandat 9 vjeçar, mbetet ende mister se cili nga kandidatët në garë ka mbështetjen e amerikanëve. Megjithëse më të tërhequr se 3 vite më parë, ndoshta edhe për shkak të mungesës së një Ambasadori, SHBA herë pas here kanë dhënë sinjalet se mbështesin SPAK në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë.
Fakti që në garë janë 4 kandidatë do të thotë se mundësia për fragmentarizimin e votave të 11 anëtarëve të KLP-së është edhe më e madhe, ndërsa në momentin e votimit duhet të jenë të pranishëm minimalisht 7 nga 11 anëtarët e KLP-së.
Zgjedhja e kreut të SPAK kërkon shumicën e votave të anëtarëve prezent, çka do të thotë se nuk ka kufizime për numrin e votave që mund të marrë kandidati fitues.
Disa takime në zyrat e SPAK apo foto të publikuara nga vetë Ambasada në Tiranë me prokurorë të caktuar, janë përkthyer mediatikisht si një mbështetje që u jepet emrave të veçantë, duke tentuar në këtë mënyrë të krijohet idea se cili është më i favorizuari.
Ndërkohë në ditët e fundit janë publikuar detaje lidhur me presionet që janë përballur prokurorët e SPAK, përfshi edhe garuesit për kreun e Prokurorisë Speciale, si pasojë e dosjeve që kanë hetuar.
Nëse i referohemi qëndrimit të shpallur nga Presidenti Donald Trump për luftën ndaj karteleve të drogës dhe organizatave kriminale, krijohet idea se vazhdimësia e drejtimit të SPAK do të jetë sërish nga një prokuror që ka eksperiencën në këtë drejtim. Por që të 4 kandidatët e përfshirë në garë në periudha të ndryshme kanë hetuar organizata kriminale, përfshi edhe trafikun e drogës.
Adnan Xholi, prej 3 vitesh drejton Seksionin e Krimit të Organizuar, një rol kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të strukturuar. Ai ishte një nga prokurorët që hetoi Fredi Belerin për korrupsion zgjedhor. Më pas ka hetuar dhe zbardhur atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj në nëntor të vitit 2019, e cila pas zbërthimit të Sky ECC ka prodhuar edhe dy dosje të tjera ku është ekspozuar aktiviteti kriminal i grupit në fushën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike por edhe rivalitetin e grupeve kriminale në Durrës. Ai gjithashtu ka hetuar dosjet e vjetra që sollën identifikimin e vrasjes së policëve të shtetit në ngjarjet e rënda të “Qafë-Gjashtës”, Bandën e Cërrikut, vrasjen e Ibrahim Bashës në Lazarat, hetimin e Arben Tollisë.
Dy dosje penale në SPAK që janë të vetmet e realizuara me metoda proaktive, dhe që flasin për trafik droge dhe ngritjen e laboratorëve të kokainës në Shqipëri, janë hetuar nga prokurori Adnand Xholi.
Klodian Braho u emërua nga Altin Dumani si drejtues i Seksionit të Luftës ndaj Korrupsionit, por ka hetuar edhe dosje që kanë lidhje me krimin e organizuar. Braho ka hetuar rastet e korrupsionit në drejtësi, duke përmendur këtu dy dosje: atë t ëish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla, gjatë kohës kur SPAK drejtohej nga Arben Kraja, por edhe goditjen e ish-prokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, me të cilin kishin punuar vite më parë.
Elvin Gokaj si prokuror i SPAK kryesisht ka hetuar dosje që kanë lidhje me korrupsionin e zyrtarëve, ndonëse më parë si prokuror i Burrelit ka hetuar çështje të lidhura me krimet, përfshi edhe veprimtarinë e bandave kriminale që kanë vepruar në zona të caktuara.
Doloreza Musabelli, një tjetër kandidate për kreun e SPAK, gjithashtu ka një eksperiencë në hetimin e krimit të organizuar. Ajo ka hetuar grupin e Emiljano Shullazit, por edhe dosjen e ‘Toyota Yaris’. Emri i saj, sipas dëshmisë së Artan Tafanit, një prej të penduarve të drejtësisë, ishte në listën e grupit të Laert Haxhisë, për t’u eleminuar.
Pothuajse të gjithë prokurorët që synojnë kreun e SPAK kanë eksperiencat në drejtim, pasi ose kanë drejtuar seksione të veçanta brenda prokurorive, ose kanë drejtuar Prokuroritë e Rretheve, ku kanë qenë para se t’I bashkoheshin Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe më pas SPAK.
Çfarë po ndodh me drejtuesin e BKH?
Një tjetër garë është ajo për zgjedhjen e kreut të BKH-së, një process që është stopuar prej gati 2 muajsh. SPAK përfundoi fazat e konkurimit të kandidatëve që synonin kreun e BKH-së, ndërkohë që mandate i Aida Hajnaj, drejtueses së parë të asaj që konsiderohej si FBI shqiptare, përfundoi në 31 gusht. Nga kjo datë, BKH po drejtohet nga zv.kryetari i saj, Joni Keta, i cili gjithashtu është një prej emrave që shpreson të marrë drejtimin e Byrosë, bashkë me 6 kandidatë të tjerë të kualifikuar që janë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj dhe Gledis Nano.
E kur mendohej se procesi do të përmbyllej, ajo që po e mban zvarrë janë dokumentet që disa institucione duhet të depozitojnë lidhur me pastërtinë e figurës së kandidatëve, kontaktet e tyre, pasurinë. Dhe këtu, sipas raportimeve, procesi është ndalur. Kreu i BKH-së, ashtu si edhe ai i SPAK, zgjidhen nga KLP, dhe duket se proceset janë të ndërvarura. Nuk dihet nëse do të zgjidhen njëkohësisht, por ajo që raportohet është se ndërhyrjet dhe lobimet për të vendosur nën kontroll drejtimin e dy strukturave speciale, janë evidente.
Tre vite më parë, në rastin e kreut të SPAK, u aludua se Qeveria mbështeste Ervin Kondilin, dhe kjo u pasqyrua edhe nga votimi i famshëm në KLP, ku ambasadorja amerikane në atë kohë vëzhgonte nga fundi i sallës procesin dhe mbante shënime. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje