
Një bandë, pjesë e së cilës ishin edhe 3 shqiptarë, u ccmontua nga policia greke gjatë një operacioni në Athinë.
Anëtarët e bandës shantazhonin pronarët e lokaleve dhe bareve, ndërsa i vendosnin gjoba të majme, ndryshe nuk u garantonin mbrojtje dhe ambientet e tyre të biznesit do të dëmtoheshin.
Videot e transmetuara në mediat greke tregojnë anëtarët e bandës me fytyrat e mbuluara, duke hyrë në lokale, bare, apo dyqane të ndryshme, për të shantazhuar pronarët. Siç mund të shihet lehtësisht nga pamjet, bëhet fjalë për persona me një fizik veçanërisht të madh.
Siç rezultoi nga hetimi i oficerëve të Departamentit të Zhvatjes që çmontuan organizatën, autorët lëviznin në qendër të Athinës. Ata hynin në biznese, linin një copë letër me numrin e celularit dhe u kërkonin pronarëve t'i telefononin për të rënë dakord për "tarifën" që do t'u jepej për t'u siguruar atyre mbrojtje.
Organizata vepronte kryesisht në zonat Patisia, Kypseli dhe Agios Panteleimonas, ku anëtarët e saj kërkonin një pagesë “mujore” nga biznesmenët për të shmangur dëmtimin e pronave të tyre.
Përfundimisht, aksioni i tyre është ndërprerë nga oficerët e Departamentit të Zhvatjes, të cilët pas një operacioni policor kanë vënë në pranga pesë persona, konkretisht një grek, një egjiptian dhe tre shqiptarë.
Numërimi mbrapsht për çmontimin e bandës nisi në fillim të shkurtit, kur informacioni mbërriti tek autoritetet se një grup prej pesë ose gjashtë personash, me fizik të madh, po lëviznin nëpër zonat e Patisia, Kypseli dhe Agios Panteleimonas dhe po shantazhonin pronarët e dyqaneve duke ofruar mbrojtje.
Hetimi kulmoi mbrëmjen e 12 shkurtit, kur oficerët e policisë vëzhguan disa persona me fytyrë të mbuluar duke lëvizur në zonën e Kato Patisias dhe duke iu afruar pronarëve të dyqaneve me qëllimin për të kërkuar pagesën e shumave me pretekstin e mbrojtjes.
Lini një Përgjigje