A do të zbardhen krimet e vjetra të politikës? Shqiptarët prej 30 vitesh vetëm janë vjedhur, por hajdutët janë ende në politikë....
Prokuroria e Posaçme nuk po arrin ende të shkojë te dosjet e vjetra. Në 30 vite shqiptarët janë vjedhur masivisht, por ata që përvetësuan miliona janë ende të paprekshëm, të paktën tani për tani.
SPAK kur u krijua, u përball me një numër të madh padish dhe aty ka dosje që nëse hapen, tronditin politikën. Deri më tani SPAK është fokusuar te krimet e viteve të fundit, duke bërë që dosjet e vjetra të harrohen. Por cilat janë ato?
Para se të shkriheshin Krimet e Rënda, Izet Haxhia bëri një padi ndaj Sali Berishës për 23 krime. Bëhet fjalë për të gjithë krimet që tronditën vendin, nga firmat piramidale, deri te trafiqet dhe vrasjet. Haxhia dha dy ditë rresht dëshmi te Krimet e Rënda dhe pasi kjo prokurori u shkri, dosja u transferua te SPAK, por që ka mbetur prej më shumë se 3 vitesh në harresë.
Një dosje tjetër e ngjashme është ajo e familjes Haklaj. Ata kanë paditur Berishën dhe shumë të tjerë për vrasjen e djemve të tyre. Madje një vit më parë dëshmoi edhe Aishe Haklaj për gati 12 orë. Edhe kjo dosje është mbuluar nga pluhuri, pasi duket se u harrua.
Dosje tjetër është ajo e CEZ-DIA. Bëhet fjalë për një padi të juristit Romeo Kara, padi e bërë te Krimet e Rënda kundër Berishës, Metës dhe disa zyrtarëve. Dosja u transferua te SPAK. Një vit më parë prokuroria mori në pyetje Ilir Metën dhe disa emra të tjerë, por nuk ka pasur më asnjë zhvillim.
Padyshim një dosje në harresë është ajo e lidhjeve të Monika Kryemadhit me rusët. Dolën fakte kohë më parë për kontakte të saj me Moskën dhe madje nisën hetimet, por sërish nuk ka pasur asnjë zhvillim nga SPAK. Këtu mund të përmendim dhe ndërhyrjet estetike, pasi dhe për to po hetohet çifti Meta-Kryemadhi. Ndaj tyre ka pasur padi për fshehje pasurie dhe korrupsion, por ato SPAK nuk i ka zënë me dorë fare.
Një dosje shumë e bujshme që pritej të sillte tërmet është ajo e vrasjes së ish-bankierit Artan Santo. Në vitin 2021, SPAK rinisi hetimet dhe pritej të zbardhej. Kanë kaluar më shumë se dy vite dhe askush nuk e di se kush e vrau Santon. Është folur dhe për emra politikanësh të përfshirë, por hetimet kanë ngecur.
Ndërkohë ka dhe disa dosje të tjera që SPAK po i heton prej vitesh. Dosjet janë nën hetim, por nuk po kopsiten dot. Mbetet të shihet se kur SPAK do arrijë të zbardhë ato krime që vërtet kanë tronditur vendin dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje