TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Janar 2025, 21:03

Nga “non-grata” e Berishës te “falja” e Sazanit dhe ndarja e Kosovës, skenarët e rikthimit të Trump!

Shkruar nga Pamfleti

Nga “non-grata” e Berishës te “falja” e Sazanit dhe

Nga dita e nesërme, ethet e mandatit të dytë të Trump do të pushtojnë Shqipërinë, Kosovën dhe botën mbarë.

Ditën e nesërme, më datë 20 janar në orën 12:00 (me atë lokale), do të inaugurohet presidenti i ri i SHBA-ve Donald Trump. Ardhja e Trump në pushtet ka bërë që mbarë bota të zhytet në pasiguri mbi atë që mund të ndodhë në katër vitet e qeverisjes së tij.

Megjithatë, pavarësisht pasigurive, ka dhe nga ato vende që kanë pritshmërinë e tyre lidhur me këtë mandat të dytë të Trump. Ballkani Perëndimor është një ndër rajonet me pritshmërinë më të lartë nga “Trump 2.0”, për vetë faktin, se diplomacia amerikane ka ndikim të jashtëzakonshëm në këtë rajon. Një ndër këto vende është Shqipëria. 

Çfarë pret Shqipëria nga Trump? 

Zgjedhja e Donald Trump si president i ardhshëm i SHBA-ve në nëntor, u prit me shumë entuziazëm nga opozita shqiptare, me në krye ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili ia atribuon sanksionimin nga DASH dhe arrestimin e tij nga SPAK, administratës Biden dhe ndikimit të George Soros në vend! Sipas Berishës, ndikimi i këtij të fundit në bashkëpunimin me kryeministrin në pushtet Edi Rama kanë pasur për qëllim shkatërrimin e figurës së tij dhe eliminimin e opozitës.

Me ardhjen e Trump në pushtet, Berisha shpreson që DASH të rishikojë shpalljen e tij non-grata dhe t’i japë mbështetjen e duhur opozitës dhe Partisë Demokratike, që drejtohet prej tij. Nga ana tjetër duke qenë se Trump dhe Soros kanë qenë ‘armiq’, kreu i opozitës shqiptare shpreson që administrat e Trump të ndëshkojë qeverinë aktuale për lidhjet e saj me Sorros, me qëllim që partia që ai drejton të rikthehet në pushtet.

Ndërkohë që partia në pushtet (PS-ja) e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, është treguar e matur në reagimet e saj dhe mesa duket po përpiqet të punojë në prapaskenë, për të lënë pas krahëve disa deklarata dhe mendime kritike të Ramës për qeverisjen e shkuar të Trump.

Një ndër strategjitë e përdorura nga qeveria shqiptare, është aprovimi si investitor strategjik për dhëndrin e presidentit Donald Trump, Jared Kushner, i cili planifikon të ndërtojë një kompleks shtëpiash pushim dhe hotelesh në ishullin shqiptar të Sazanit. Pavarësisht pretendimeve të qeverisë, se një gjë e tillë nuk po bëhet për të fituar ndikim politik te Trump, dyshimet dhe gjasat se kjo deklaratë fsheh shumëçka mbrapa, janë shumë të larta.

Të dyja kahet politike në Shqipëri presin ndryshime dhe lëshime nga administrata e re në SHBA. Njëra anë pret ndryshme drastike, tjetra pret lëshime dhe lehtësira, pavarësisht kostove. Megjithatë, Shqipëria duket shumë larg optikës së problemeve të Trump, dërgimi i një ambasadori në Tiranë do të ishte lëvizja e parë që administrata e re e SHBA-së duhet të bëjë për të treguar qartë interesin e saj në vend.

-Po Kosova?

Ndryshe nga Shqipëria, ardhja e Trump pritet të sjellë probleme për Kosovën, kryesisht lidhur me dialogun me Serbinë. Siç flitet prej muajsh, zgjedhja e Trump, me shumë mundësi, do të hedhë poshtë të gjithë procesin e negociuar të dialogut deri më sot, mes Kosovës dhe Serbisë. Detyrimi për krijimin e Asociacionit do të bjerë poshtë, me shumë mundësi për t’i lënë vendin ndryshimit të hartës dhe rrjedhimisht shkëmbimit të territoreve, ide kjo e mbështetur nga administrata e parë e Trump.

Edhe në aspektin politik, gjërat nuk duken aspak mirë për Kosovën, kryeministri Albin Kurti ka refuzuar t’iu bindet kërkesave të SHBA dhe BE, gjatë dy viteve të fundit duke krijuar pakënaqësi si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Nga kjo këmbëngulje e Kurtit, presin të përfitojnë partitë opozitare në zgjedhjet e 9 shkurtit. Opozita shpreson që Trump ta vendosë me “shpatulla pas muri” një kryeministër të “pabindur” si Kurti, që më pas ata të vijnë në pushtet.

Megjithatë kjo është një thikë me dy presa për Kosovën, duke pasur parasysh faktin se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka krijuar marrëdhënie të mira me Donald Trump. Njëjtë si kryeministri shqiptar Edi Rama, Vuçiç i ka lënë terren të hapur për investime në Beograd, dhëndrit të Trump, Jared Kushner.

Kushner, i financuar nga Arabia Saudite, ka kërkuar projekte investimi si në Serbi ashtu edhe në Shqipëri, ndërkohë që nuk ka vizituar as Bosnjën apo Kosovën. Me pak fjalë mund të prisni që Trump të mos bëjë asgjë që do të rrezikojë projektet e Kushnerit apo paratë e tij saudite. Kjo do të thotë që do të ketë një anim të vazhdueshëm drejt Beogradit dhe larg Prishtinës.

Megjithatë, pavarësisht së gjithave, Trump është një lider i paparashikueshëm dhe shumë nga gjërat e sipërpërmendura, të cilat mbeten në shkallën e një analize, mund të mos ndodhin kurrë. Por një gjë është e sigurt, nga dita e nesërme, ethet e mandatit të dytë të Trump do të pushtojnë Shqipërinë, Kosovën dhe botën mbarë./Pamfleti 

Lini një Përgjigje