
Prokurorët kanë pasur në duar dosje më sensitive dhe shumë më përpara se rasti i Ahmetajt, por për asnjë rast nuk ka pasur arrestime...
Numri zyrtarëve me dosje në SPAK është rritur ndjeshëm kohët e fundit, por një pjesë shumë e madhe e bëjnë gjumin e qetë. SPAK kërkoi arrestimin e Arben Ahmetajt duke ngritur 3 akuza ndaj tij, por në fakt ka shumë nga ata që flasin për dy standarde.
Prokurorët kanë pasur në duar dosje më sensitive dhe shumë më përpara se rasti i Ahmetajt, por për asnjë rast nuk ka pasur arrestime. Njësoj si Ahmetaj, edhe ata janë marrë në pyetje, por duket sikur hetimet kanë stopuar.
Nëse i marrim me radhë. Një ndër personazhet e njohur që është marrë në pyetje është ish-presidenti Ilir Meta. Ky i fundit u mor në pyetje për aferën e CEZ-DIA. Meta është paditur nga juristi Romeo Kara se ka favorizuar CEZ me uljen e çmimit të energjisë pas paktit me DIA. Për të janë dhe disa dosje të tjerë sensitive, por e bën gjumin e qetë.
Emër tjetër që është marrë në pyetje është Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Berisha. Ai u mor në pyetje për tragjedinë e Gërdecit. Prokuroria po heton për trafik fishekësh dhe pastrim parash dhe ai është ndër të dyshuarit kryesorë.
Nuk mund të lëmë pa përmendur ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj. Ai është marrë disa herë në pyetje për koncesionet në shëndetësi, por deri më tani ja ka hedhur paq.
Pak ditë më parë u mor në pyetje Shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino. Ajo dyshohet e përfshirë në tenderin e dezinfektimit.
Emër tjetër padyshim është Olta Xhaçka. Ministrja e Jashtme është pyetur disa herë për aferën me portin e Sarandës. Ai u privatizua kur Xhaçka ishte ministre e Mbrojtjes.
Po ashtu janë pyetur dhe emër të tjerë si Blendi Gonxhe, Xhelal Mziu, Arur Bushi, etj. Mbetet të shihet nëse edhe me ta SPAK do ketë guximin që tregoi me Arben Ahmetajn.
1. Ilir Meta, ish-president, u mor në pyetje për aferën e CEZ
2. Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Berisha, u mor në pyetje për Gërdecin
3. Silva Bino, Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, u mor në pyetje për tenderin e dezinfektimit nga ISHP
4. Ilir Beqja, ish-ministër i Shëndetësisë, i marrë në pyetje për koncesionet në shëndetësi
5. Olta Xhaçka, ministre e Jashtme, është marrë në pyetje për portin e Sarandës
6. Xhelal Mziu, deputet, u mor në pyetje pas dyshimeve se kur ishte kryetar bashkie lejoi ndërtimin e një thertoreje në shkelje të ligjit.
7. Engjëll Agaçi, Sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri, është marrë në pyetje për inceneratorët
8. Blendi Gonxhe, drejtor i Transportit, nuk dihet arsyeja e marrjes në pyetje
9. Muharrem Rama, ish-kryebashkiaku i Dibrës, nuk dihet arsyeja e marrjes në pyetje
10. Artur Bushi, kryebashkiaku i Krujës, nuk dihet arsyeja e marrjes në pyetje.
/Pamfleti
Lini një Përgjigje