
Përveç rasteve të të huajve, edhe shqiptarët me famë botërore kanë shqyer një copë nga “torta” e mirësisë së qeverisë shqiptare.
Fotot e njerëzve të njohur dhe me pushtet nga e gjithë bota, të postuara nga kryeministri Edi Rama tek vizitojnë Shqipërinë për pushime, duket se gjithmonë fshehin pas marrëveshje "sekrete"!
Të gjitha këto marrëveshje, janë fshehur pas justifikimit tashmë të zakonshëm të kryeministrit, se ata kanë ardhur si shkak i bumit turistik që ka përfshirë Shqipërinë vitet e fundit, falë investimeve të qeverisë së tij.
Por e vërteta e këtyre vizitave në Shqipëri qëndron shumë larg asaj që thotë kryeministri. Kjo pasi pothuajse të gjithë personat e rëndësishëm politik dhe publik, të cilët kanë vizituar vendin tonë dhe janë ‘përdorur’ nga Rama për të promovuar turizmin në vend, kanë marrë mbrapsht shumë më shumë.
Duke nisur që nga vizita e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, në qytetin e Vlorës, më 14 gusht të vitit që lamë pas. Kryeministri Rama e shiti vizitën e homologes italiane si një “fitore” për turizmin në bregdetin shqiptar, por prapaskenat e vizitës së saj do të dilnin muaj më vonë.
Në këmbim të “promovimit” të bregdetit shqiptar, Meloni arriti që të siguronte dy qendra në qytetin e Lezhës, për të strehuar emigrantët e paligjshëm që përpiqen të arrijnë në brigjet e Italisë. Në këto qendra doli se do të vinin 3 mijë emigrantë çdo muaj dhe diku tek 36,000 në vit. Projekti do të financohej nga qeveria italiane, toka ku do të ngriheshin kampet do të kalonte në administrim të italianëve, ndërsa Shqipëria nuk do të fitonte asgjë në këmbim.
Një tjetër rast ishte ai vizitës së vajzës së ish-presidentit Donald Trump së bashku me bashkëshortin e saj, Jared Kushner, në jug të Shqipërisë. Me ndërmjetësimin e mikut të tij Richard Grenell, më 26 korrik 2023 Rama u takua me vajzën dhe dhëndrin e Trump, ku dhe shkrepi një foto me ta, duke e shitur atë si një formë për të promovuar turizmin.
Edhe krismat e këtij takimi u desh disa muaj që t’i dëgjonim. Dy vizitat e dhëndrit të Trump në Shqipëri, dolën se kishin qenë për të arritur një marrëveshje me qeverinë shqiptare për të marrë ishullin e Sazanit dhe për të investuar 1 miliardë dollarë në hotele dhe resorte luksoze.
Rast tjetër i njohur është edhe ai i vizitës së kreut të kompanisë “Eagle Hills”, Mohamed Alabbar, i cili pas vizitës në Shqipëri dhe disa takimeve me Ramën, arriti të përfitonte një sipërfaqe trualli prej 812 mijë e 600 m2 në Portin e Durrësit në të cilën ai do të zhvillojë projektin e tij “Durrës Yachts & Marina”. Një marrëveshje kjo që u shoqërua me akuza për mungesën e transparencës mbi projektin më të bujshëm të viteve të fundit në qytetin bregdetar.
Përveç rasteve të të huajve edhe shqiptarët me famë botërore kanë shqyer një copë nga “torta” e mirësisë së qeverisë shqiptare. Rasti më flagrant ishte ai i këngëtares Dua Lipa e cila vitet e fundit është parë të promovojë bregdetin shqiptar. Por mesa duket ardhjet e shpeshta të Dua Lipës së bashku me babanë e saj në Shqipëri dhe takimet me kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj duket se kishin një qëllim të fshehtë, të kamufluar, përtej asaj që shitej në media si promovim i bukurive natyrore të bregdetit shqiptar. Kjo pasi vitin e kaluar listës së investitorëve strategjik ju bashkua edhe Dukagjin Lipa, babai i këngëtares së njohur Dua Lipa.
Ai u shpall investitor në zonën e Fierit dhe Lushnjës ku do të ndërtojë një park fotovoltaik me kapacitet prodhimi 100 Megavat/orë.
Por jo vetëm kaq, edhe vizitat e aleatëve tanë strategjikë në vendin tonë, duket se nuk kanë të bëjnë aspak me ne. Për të vërtetur këtë vlen të rikthejmë në vëmendje vizitën e fundit të sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe atë të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Të dyja takimet nuk patën asnjë vlerë për Shqipërinë. Përkundrazi, me idenë për sjelljen e armatimeve dhe prodhimin e municioneve për Ukrainën në vendin tonë, na ekspozuan si kurrë më parë ndaj rrezikut rus. I vetmi që përfitoi në radhët e shqiptarëve nga këto dy takime, ishte kryeministri Edi Rama, si në çdo takim të lartë përmendur./Pamfleti
Lini një Përgjigje