
SPAK jep detaje mbi bashkëpunimin ndërkombëtar...
Prokuroria e Posaçme ka shtrirë hetimet edhe jashtë vendit për politikanët dhe bosët e krimit. Gjatë vitit që lamë pas, ka pasur plot 163 letër-porosi për shtete të ndryshme të botës, për vepra të krimit të organizuar dhe atyre të fushës së korrupsionit. Të dhënat janë bërë publike në raportin vjetor të SPAK.
Ndarja sipas shteteve për kërkesat për ndihmë juridike të dërguara nga Prokuroria e Posaçme do të ishte: Franca 40 kërkesa, Italia 21 kërkesa, Holanda 14 kërkesa, Anglia 11 kërkesa, SHBA 9 kërkesa, Greqia 7 kërkesa, Gjermania, Brazili dhe Kosova me nga 6 kërkesa, Spanjë, Belgjikë dhe Zvicër me nga 4 kërkesa, Ekuador dhe Serbi, me nga 3 kërkesa, Austria dhe Maqedonia e Veriut me nga 2 kërkesa, Kroacia, Malta, Portugali, San Marino, Bosnje Hercegovinë, Danimarka, Kolumbia, Hungaria, Singapori, Bullgaria, Paraguaji, Malajzia, Republika Domenikane, Mali i Zi dhe Polonia me nga 1 kërkesë.
Më tej SPAK bën me dije se nga autoritetet gjyqësore të huaja për vitin 2024, janë paraqitur 7 kërkesa për ndihmë juridike me objekt jo vetëm kryerjen e veprimeve hetimore, por dhe për kontrollin e ambienteve të ndryshme (private apo biznese) në territorin e Republikës së Shqipërisë. “Pas marrjes së vendimit të lejimit të kontrolleve nga gjykata, në të gjitha rastet Sektori ka bërë koordinimin e punës ndërmjet autoriteteve të huaja me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe punonjësit e Policisë së Shtetit, me qëllim realizimin sa më efektiv të kontrolleve dhe administrimin e provave të sekuestruara gjatë kontrolleve. Shtetet të cilat kanë kërkuar kontrollin e ambienteve janë, Gjermania, Italia, Belgjika, Holanda”, thekson raporti.
Po ashtu theksohet se Në vitin 2024, prokurorët e Prokurorisë së Posaçme kanë bërë procedurën e shpalljes në kërkim ndërkombëtar për 117 persona. “Nga prokurorët e posaçëm është plotësuar dokumentacioni i nevojshëm dhe në vijim është bashkëpunuar ngushtësisht me Ministrinë e Drejtësisë, Zyrën Qendrore të Interpol-it, Prokurorët dhe Oficerët Ndërlidhës të autoriteteve të huaja, që mbulojnë Shqipërinë me qëllim identifikimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe arritjen e kapjes dhe ekstradimit të tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, në zbatim të ekzekutimit vendimeve të gjykatës për caktimin e masave të sigurimit apo vendimeve të formës së prerë të dënimeve. Veprat penale për të cilat janë akuzuar personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar kanë qenë kryesisht ato të parashikuara nga nenet, 78, 79/dh, 80, 143/b, 189, 190, 245, 259, 278, 284, 287, 283/a, 298/2, 319/ç, 28/4, 333/a, 334 të Kodit Penal”, vijon raporti.
Aty jepen të dhëna dhe mbi ekstradimet. Prokuroria e Posaçme, gjatë vitit 2024, ka transmetuar pranë Ministrisë së Drejtësisë 41 kërkesa për ekstradim nga jashtë vendit në Shqipëri. /Pamfleti
Lini një Përgjigje