
Altin Dumani, kreu i SPAK, është ndalur në Fier ditën e sotme, në një takim me prokurorë të Prokurorisë së Fierit, lidhur me hetimin e krimeve zgjedhore.
Ky është takimi i parë që kreu i SPAK zhvillon me prokurorët e rretheve, lidhur me hetimin e krimeve zgjedhore, ndërsa Prokuroria Speciale ka edhe strategjinë e saj të luftës ndaj fenomeneve që cënojnë integritetin e procesit zgjedhor.
Takimi i Dumanit vjen në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në fokus të këtij takimi ishte bashkëpunimi dhe koordinimi mes SPAK-ut dhe Prokurorisë se Fierit në hetimin e të gjitha ngjarjeve që prekin procesin zgjedhor, kryesisht në vlerësimin me kujdes të informacioneve, kryerjen me cilësi dhe në një kohë sa më të shkurtër të veprimeve të para hetimore, vënien menjëherë në dijeni të Prokurorisë së Posaçme për veprat penale në kompetencë lëndore të saj.
SPAK ka ngritur një Task-Forcë për hetimin e krimeve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Çdo qark do të mbulohet nga një prokuror i SPAK dhe agjentë të BKH-së, që do të koordinohen me prokurorët e rretheve dhe agjensitë ligjzbatuese, duke vepruar si një bërthamë, kundër krimeve zgjedhore.
“Grupet hetimore në terren do të kenë në përbërje prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, staf administrativ mbështetës, të ndarë sipas 12 Qarqeve dhe 61 Bashkive. Grupet hetimore në terren do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore, dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor”, njoftonte SPAK kur paraqiti strategjinë kundër krimeve zgjedhore.
Lini një Përgjigje