
Pak ditë pas emërimit të Taulant Ballës në krye të Ministrisë së Brendshme kanë ardhur ndryshimet e para në Policinë e Shtetit. Muhamet Rrumbullaku ka firmosur sot shkarkime dhe emërime në disa sektorë të rëndësishëm, duke përfshirë dhe Forcat Operacionale.
Mësohet se është liruar nga detyra drejtori i Forcave Operacionale të Posaçme. Oltion Bistri dhe në vend të tij është emëruar Vilson Bala, duke u larguar kështu nga posti i shefit të Komisariatit numër 6. Në këtë komisariat ka shkuar Edvin Ndreu. Oltion Bistri ka shkuar Specialist te Drejtoria e Krimeve.
Ndryshime ka pasur dhe në zyrën e Europol në Tiranë. Në krye të saj është emëruar Lutfi Minxhozi, ndërsa Artan Bajraktari që e drejtoi deri tani, është transferuar si drejtor në Kukës.
Në krye të Krimeve është vendosur Arben Dashi, një emër i njohur në polici dhe me përvojë të gjatë.
Ndryshimet duket se kanë të bëjnë me kriminalitetin në vend. Rrumbullaku ka firmosur ndryshime në sektorët që janë përgjegjës për krimin vendas dhe të huaj. Vrasjet dhe trafiqet nuk ndalen dhe si duket me emërimin e Ballës, drejtori i Policisë ka kërkuar një frymë të re në zbulueshmërinë e krimit.
Ndryshimet në radhët e policisë
-Vilson Bala - Drejtor i Forcave të Posaçme Operacionale
-Arben Dashi - Drejtor i Krimeve në Volum në Departamenti i Sigurisë Publike me strukturën e re
-Edvin Ndreu - Shef, Komisariati nr. 6
-Lutfi Minxhozi - Drejtor i Europol, Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare
-Artan Bajraktari - Drejtor i DVP Kukës
-Oltion Bistri - Specialist te Drejtoria e Krimeve
Lini një Përgjigje