TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Shtator 2023, 22:34

Nesër zgjedhjet, a do të ndryshojnë kurs kuksianët pas skandalit seksual të Gjicit?

Shkruar nga Pamfleti

Nesër zgjedhjet, a do të ndryshojnë kurs kuksianët pas

Më datë 16 qershor të këtij viti, Safet Gjici u detyrua të jepte dorëheqjen si kryebashkiak i Kukësit, pas publikimit të një video që e tregon atë në një raport seksual në zyrë me një vajzë të identifikuar si Alma.K!

Të dielën më datë 24/09/2023, rreth 46 mijë qytetarë të Kukësit do t’ju drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e ri, mes Emri Vatës të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe Albert Halilaj të PS-së, vetëm 3 muaj pasi zgjodhën një të tillë në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Edhe pse kandidati i PS-së, Safet Gjici, në zgjedhjet e 14 majit fitoi mandatin e dytë në Bashkinë e Kukësit, duke marrë 49.70% të votave dhe duke lënë pas rivalin kryesor të koalicionit “BF”, Admir Sinamati, mandati i tij nuk do të zgjaste shumë.

Me hartën e zgjedhjeve lokale ngjyrosur mavi, gjithçka dukej se po shkonte mirë për Partinë Socialiste, deri në momentin kur kryebashkiaku i sapo zgjedhur i Kukësit u përfshi në një skandal që do të detyronte këtë të fundit që të jepte dorëheqjen.

Më datë 16 qershor të këtij viti, Safet Gjici u detyrua të jepte dorëheqjen si kryebashkiak i Kukësit, pas publikimit të një video që e tregon atë në një raport seksual në zyrë me një vajzë të identifikuar si Alma.K. Pas publikimit të plotë të videos Gjici u arrestua dhe ndaj tij nisi një hetim nga SPAK për shpërdorim detyre dhe përdorim të postit për favore. Kjo pasi në video shfaqej një bisedë ku Alma.K i kërkonte Gjicit t’i jepte një tender për sterilizimin e qeneve të rrugës.

Më pas presidenti i Republikës, Bajram Begaj më datë 11.08.2023, caktoi datën 24 shtator 2023 si datën e zhvillimit të zgjedhjeve për Kryetar Bashkie në Bashkinë e Kukësit.

Ndërkohë pas shpalljes së datës së zgjedhjeve PS, PD dhe Koalicioni ‘BF’ nisën të mendonin për kandidaturat. Në fund, në garën për të marrë postin e të parit të qytetit dolën vetëm dy kandidatët, Emri Vata i regjistruar nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe Albert Halilaj nga Partia Socialiste, ndërsa Partia Demokratike zyrtare, ndonëse u regjistrua si subjekt garues, nuk paraqiti kandidat.

Edhe pse kryebashkiaku i fundit i PS u shkarkua si pasojë e një skandali të rëndë, duket se qytetarët sërish dhe këto zgjedhje anojnë drejt kandidatit socialist.

Kjo pasi në një sondazh të publikuar nga “Pamfleti” drejtuar qytetarëve: -“Kush mendoni se i fiton zgjedhjet e së dielës në Kukës?”-, ku morën pjesë mbi 1700 persona, rezultati përfundimtar ishte disi ‘shokues’ duke pasur parasysh mënyrën se si u zhvilluan ngjarjet deri këtu, por parë në një këndvështrimin tjetër, mund të jetë dhe një mesazh për dyshen Berisha-Meta.

Nesër zgjedhjet, a do të ndryshojnë kurs kuksianët pas
Rezultati i Sondazhit të "Pamfletit"

Nga 1700 votues që morën pjesë në sondazhin e “Pamfletit”, 56 për qind prej tyre votuan kandidatin Albert Halilaj të PS, ndërsa vetëm 44 për qind votuan, Emri Vatën të koalicionit ‘BF’.

Gjithsesi gjithçka mbetet për tu parë ditën e nesërme, por nëse PS-ja triumfon sërish në Kukës, Berishës do të i binte poshtë alibia, se Basha ishte ai një nga faktorët që i shkaktoi humbjen e zgjedhjeve të 14 majit. Nëse një gjë e tillë ndodh vërtet dyshja, Berisha-Meta do të duhet të mendojnë diçka tjetër, përveç justifikimeve të përhershme./Pamfleti

zgjedhjet kukës

Lini një Përgjigje