Bashkitë Fier, Patos dhe Mallakastër këtë të shtunë janë në një situatë të vështirë, teksa vatrat e zjarrit janë shfaqur njëra pas tjetrës.
Vatra të shumta zjarri janë aktivizuar gjatë pasdites dhe dhjetëra forca zjarrfikëse gjenden në terren duke luftuar me flakët.
Kanë qenë të paktën 11 vatra aktive zjarri gjatë ditës së sotme, ku më problematikja mbetet ajo në pyllin e Darëzezës, ku me errësirën bëhet e pamundur jo vetëm ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse, por edhe ajo nga ajri.
Ndërkohë mësohet se aktualisht janë aktive edhe disa vatra zjarri, ku ndër më problematiket shfaqet edhe ajo në Dërmenas të Libofshës. Aty flakët po i afrohen një stalle bagëtish dhe banesave të zonës.
Djegia e mbeturinave në zonën e njohur si “Ofiçina” në Patos, gjithashtu ka shkaktuar një zjarr masiv që ka djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj dhe pemë frutore.
Në vendngjarje për neutralizimin e flakëve ndodhen mjetet zjarrfikëse, shërbimet e policisë Fier, dhe disa grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Situata vijon të mbetet kritike ndërkohë që banorët e zonës të alarmuar nga kjo situatë pohojnë se ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve zjarrfikëse bëri të mundur largimin e rrezikut nga banesat dhe puset e naftës.
Flakët kanë përfshirë dhe nënstacionin elektrik, ku OSSH Patos është detyruar të stakojë energjinë elektrike si masë të nevojshme sigurie.
“Për shkak të zjarrit shumë pranë Nënstacionit Patos, OSSH është detyruar të stakojë energjinë elektrike, si masë e nevojshme sigurie.Ndërkohë është njoftuar zjarrëfikësja,” njofton OSHEE.
Situata sakaq mbetet tepër kritike në fshatin Margëlliç, aty ka vatra e zjarrit u shfaq fillimisht në vendin e quajtur “Menca 3” përbri kodrës. Era e fortë ka favorizuar përhapjen me shpejtësi të flakëve duke rrezikuar banesa dhe një depozitë gazi.
Ndërkohë që një vatër zjarri është aktivizuar mbrëmjen e kësaj të shtune në një sipërfaqe toke bujqësore në Karpen të Shijakut.
Sipas informacioneve të siguruara nga vendngjarja, forcat zjarrfikëse nuk kanë mbërritur ende për të punuar për shuarjen e flakëve, të cilat po përhapen me shpejtësi prej erës së fortë.
Për zjarret ka reaguar edhe ministrii Brendshëm, Taulant Balla.
“Po ndjekim situatën në Bashkinë Patos, fshati Margëlliç, ku po luftohet me zjarrin, i cili ka marrë përmasa tepër të mëdha. Forcat zjarrëfikëse të Patosit, Roskovecit, Fierit, kompanisë Albpetrol po punojnë në disa drejtime për të mbrojtur zonat e banuara, ndërsa janë nisur forca edhe nga Lushnja, Vlora dhe Berati. Policia e Shtetit ka dërguar efektivë të shumtë të FNSH, ndërsa ka arrestuar autorin e dyshuar të kësaj zjarrvënie”, shkruan Balla në Facebook.
Lini një Përgjigje