
Rikthimi i Trump në Shtëpinë e bardhë ka sjellë një sërë ndryshimesh. Fillimisht armëpushimi në Gaza dhe së dyti plani i tij për rindërtimin e kësaj zone çka do të sillte zhvendosjen e 1 milionë palestinezëve në vendet fqinje, kryesisht në Jordani e Egjipt. Një ditë më parë, kryeministri Rama pati një replikë me një gazetar izraelit, i cili në një televizion kishte deklaruar se Shqipëria do të strehojë 100 mijë palestinezë.
Rama e mohoi këtë deklaratë, por sipas Olsi Jazexhiut, studiues i historisë islame, lajmi ka gjasa të jetë i vërtetë.
“Ai gazetari i Haaretz është shumë serioz. Ajo që ai ka deklaruar është i vërtetë. Këto bisedime nuk bëhen hapur. Por Edi Rama i bën gjërat si skuth, siç bëri faljen e ishullit të Sazanit. Mendoj se edhe puna e 100 mijë palestinezëve në Shqipëri është e vërtetë. Sepse në fund të fundit, Rama u shpreh i gatshëm për muxhahedinët. Nëse amerikanët e duan këtë gjë, ata nuk pyesin për Europën. Edi Rama do ta bëjë sepse e di se nëse nuk e bën do ta gjejë fati i Ilir Metës”, tha ai në MCN.
Jazexhi e cilësoi të përkohshëm armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit.
“Armëpushimi është i përkohshëm. Këtë e kuptojnë të gjithë ata që njohin historinë. Izraeli edhe pse e rrafshoi Gazën. Ka përjetuar luftën më të gjatë në historinë e tij, 15 muaj. Kryeministri Netanjahu nuk do paqe. Qëllimi final i sionistëve është t’i zhdukin palestinezët. Kur nisi lufta në 2023 ishte kërkesa drejtuar Egjiptit për t’i dëbuar palestinezët drejt shkretëtirës. Izraeli ka pasur disa fitore kundër Palestinës. E para në 1948, tjetra në 1967, kur dëbuan nga Palestina 350 mijë banorë. Tani me armëpushimin e vendosur Izraeli ka vendosur t’i dëbojë palestinezët”, tha ai.
Lini një Përgjigje