
Është ndarë nga jeta pas një sëmundjeje të gjatë dhe të pashërueshme në moshën 82-vjeçare Abdyl Xhaja, një ndër personalitetet më të spikatura të ekonomisë dhe politikës shqiptare në dekadat e fundit të shekullit XX.
I lindur më 13 mars 1943 në Elbasan, Xhaja përfundoi studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës në vitin 1965, duke nisur karrierën si ekonomist në ndërmarrjet industriale të qytetit të tij të lindjes. Ai spikati në drejtimin e Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit dhe më vonë në strukturat qendrore të sektorit industrial.
Në fillim të viteve ’90, Xhaja u bë pjesë e rëndësishme e qeverisjes së vendit, duke shërbyer si Zëvendësministër i Burimeve Minerare dhe Energjetikës, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Industrisë, Burimeve Minerare dhe Energjetikës gjatë viteve 1991–1997. Si anëtar i Partisë Demokratike, ai u zgjodh deputet në vitin 1996 dhe mori pjesë aktive në Këshillin Kombëtar të kësaj force politike.
Edhe pas largimit nga jeta politike aktive, Xhaja vijoi të kontribuonte në fushën e ekonomisë, si këshilltar pranë unionit të investitorëve të huaj dhe Shërbimit Gjeologjik Shqiptar. Për kontributin e tij ndërkombëtar, ai u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i shtetit të Oklahomës në SHBA – një vlerësim i rrallë për një qytetar shqiptar.
Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur nga afër si profesionist të përkushtuar dhe qytetar model.
Lini një Përgjigje