
Drafti i ri i Kodit Penal parashikon dënime deri në tre vite burg për këdo që keqpërdor imazhin e një personi, duke hapur profile të rreme në rrjete sociale apo duke përdorur fotografinë e tij në mënyrë të paautorizuar. Sipas nenit të ri 842, i titulluar “Përdorimi i paligjshëm i imazhit”, synohet të frenohet fenomeni gjithnjë e më shqetësues i mashtrimeve dhe ngacmimeve online.
Sipas dispozitës, kushdo që hap një profil të rremë, publikon njoftime apo përdor imazhin e një personi pa pëlqimin e tij dhe në një mënyrë që i shkakton gjendje ngacmimi, përndjekjeje ose poshtërimi, rrezikon gjobë ose burgim deri në tre vite. Megjithatë, ndjekja penale për këtë vepër fillon vetëm pas ankesës së vetë viktimës ose përfaqësuesit të saj ligjor dhe pushohet nëse pala e dëmtuar heq dorë nga ankimi.
Ky ndryshim vjen në një kohë kur fenomeni i profileve të rreme ka marrë përmasa shqetësuese në Shqipëri, duke u përdorur jo vetëm për mashtrime financiare, por edhe për shantazhe dhe sulme ndaj reputacionit personal. Juristët e konsiderojnë këtë nismë një hap pozitiv drejt mbrojtjes së privatësisë dhe dinjitetit qytetar.
Lini një Përgjigje