
Ulje dënimi për zyrtarët që nuk deklarojnë pasuritë...
Dalin në dritë të tjera detaje nga ndryshimet në Kodin Penal. Ministria e Drejtësisë prezantoi sot versionin e ri dhe duket se me ndryshimet e reja do të ketë ulje të dënimit për disa vepra që futen te kategori e veprave të korrupsionit dhe që i ka kompetencë SPAK, ndërkohë që do të ketë ashpërsim të dënimit për disa të tjera.
Për shembull, refuzimi apo mosdeklarimi i pasurisë ka pësuar ulje të dënimit. Neni aktual parashikon gjobë deri në 6 muaj burg, ndërsa tani ka zbritur në 3 muaj burg. “Refuzimi i deklarimit të pasurisë apo interesave private nga personi që sipas ligjit përkatës ka detyrimin ligjor për të bërë deklarimin e tyre, kur më parë ndaj tij janë marrë masa administrative për shkelje të njëjta, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj”, thuhet aty.
Një tjetër ndryshim ka ndodhur te “Shpërdorimi i detyrës”. Aktualisht parashikohet burgim deri në 7 vite.
Ndërkohë te Kodi i Ri ai është ndarë në dy pjesë, një kur dëmi është shkaktuar në buxhet dhe dënimi parashikohet deri në 4 vite. Ndërkohë ka një përcaktim tjetër ku thuhet: “Përvetësimi i fondeve, aseteve apo i një sendi të luajtshëm nga zyrtari publik ose personi që kryen shërbim publik, të cilin e posedon apo e mban për shkak të detyrës ose shërbimit, për shkak të besimit të dhënë për ta administruar pasurinë, apo duke përfituar nga natyra e detyrës që kryen, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet”.
Ndërkohë janë ashpërsuar dënimet për abuzime me tenderët, me koncesionet dhe sidomos me fondet e BE. Po ashtu është futur një përcaktim i ri, ku për të gjithë zyrtarët e lartë (president, kryeministër, ministër, deputet, kryetar bashkie dhe ish-funksionarët e mësipërm), ka një shtim të dënimit me 1/3 për çdo vepër penale ku ata përfshihen. “Nëse çdo njëra nga veprat penale të këtij kreu do të kryhet nga zyrtarë të lartë publikë, dënimi respektiv i dhënë për veprën e kryer do të shtohet deri në një të tretën më shumë”, thuhet në nenin 333.
Parashikimet në Kod
Neni 292-Shpërdorimi i detyrës
1. Zyrtari publik, i ngarkuar drejtperdrejt apo terthorazi, me administrimin e fondeve publike, që synon, me dashje dhe qellim kriminal, t’i shkaktojë dëm ekonomik veprimtarisë së institucionit të tij apo një personi tjetër, ngaqë:
a) ushtron kompetencat në mënyrë të paligjshme;
b) tejkalon autoritetin e tij ligjor duke perdorur fondet jashte destinacionit te tyre, ose
c) krijon pengesa për të përmbushur një detyrë që rrjedh nga tagrat e tij ligjorë ose nga një vendim gjyqësor, kur veprimi nuk përbën ndonjë vepër penale më të rëndë, dënohet me burgim deri në katër vjet.
2. Termi “ligj” i përdorur në paragrafin e parë të këtij neni do të kuptojë aktin e nxjerre nga organi legjislativ qendror apo vendor ne perputhje me kompetencat qe Kushtetuta apo ligjet organike te vendit u kane ngarkuar atyre per te vepruar.
3. Nëse vepra e mësipërme kryhet në dëm të personave në nevojë, të pambrojtur, apo nisur nga motivimi politik, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.
Neni 293-Kryerja e veprimeve arbitrare
1. Dhënia e urdhrave ose kryerja e veprimeve arbitrare nga ana e zyrtarit publik ose atij që kryen një shërbim publik, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve ose krijojnë pasoja në ushtrimin apo gëzimin e tyre prej shtetasve, ose që cenojnë rëndë besimin e shtetasve në institucionet publike, dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër vjet.
2. Kur veprimet sipas paragrafi të parë të këtij neni kryen nga nëpunës se sherbimit gjyqsor apo sistemit te drejtesise, denimi shtohet deri ne 1/3 me shume.
Neni 294 -Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme
1. Mosmarrja e masave ose moskërkimi pranë personit kompetent, që të ndërpritet gjendja e paligjshmërisë si rezultat i një veprimi arbitrar, që ka prekur lirinë e shtetasit, nga ana e personit të ngarkuar me një funksion shtetëror ose në shërbim publik, që vjen në dijeni të asaj gjendjeje për shkak të funksionit apo shërbimit, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
2. Kur vepra penale është kryer nga varetesit e eprorit dhe, ky i fundit nuk merr masa per nderprerjen e gjendjes se paligjshmerise, denimi penal ulet deri në 1/3 e parashikuar në paragrafin parë të këtij neni.
3. Kur veprimet sipas paragrafi te pare te ketij neni kryen nga nepunes se sherbimit gjyqsor apo sistemit te drejtesise, denimi shtohet deri ne 1/3 me shume.
Neni 306- Perdhosja e autoritetit te zyres
1. Kryerja me dashje nga nje zyrtar publik i veprimeve qe cenojne rende aktet normative qe rregullojne veprimtarine e rregullt te institucionit shteteror, qe sjellin cenim te rende te autoritetit te saj, ulje te besimit te publikut dhe imazhin e institucionit perballe tij, neperkemb dukshem rendesine e funksioneve publike duke i nenshtruar autoritetin e saj plotesimit te interesave apo nevojave private e personale, mosperputhja dukshem e veprimeve me dashje me qellimet e veprimtarise publike qe kane cuar ne devijim te interesit publik drejt kenaqjes se ushtrimit te autoritetit abuziv prej zyrtarit dhe qe, ne teresine e tyre, kane dhunuar hapur parimet demokratike te ushtrimit te autoritetit shteteror, denohet me gjobe ose me burgim nga gjashte muaj deri ne tre vjet.
2. Perkufizimi i shenuar ne nenin 235, paragrafi i 5 i ketij Kodi, gjen zbatim edhe ne paragrafin 1 te ketij neni.
Neni 307- Mbajtja në burg pa vendim
Zyrtari publik i caktuar për ekzekutimin e një dënimi penal ose masë sigurimi personal, që pranon dikë pa një urdhër të autoritetit kompetent, ose nuk i bindet një urdhri për lirimin e personit të dhënë nga autoriteti kompetent, ose padrejtësisht zgjat periudhën e qëndrimit në institucionet e ekzekutimit të dënimit penal ose të masës së sigurimit personal, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Neni 308- Zbulimi i akteve ose i të dhënave sekrete
1. Zbulimi i të dhënave zyrtare, informimi i fakteve, skedarëve të informatizuar, shifrave që, sipas ligjit janë e duhet të qëndrojnë sekrete ose bërja e mundur me çdo mënyrë e zbulimit të tyre, nga zyrtari publik ose personi i ngarkuar me një shërbim publik, në shkelje të detyrimeve që lidhen me detyrën ose shërbimin e tij apo duke abuzuar me pozitën e tij, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet dhe shoqërohet me dënimin plotësues të heqjes së të drejtës për të ushtruar funksione publike.
2. Nëse zbulimi i tyre kryhet nga pakujdesia, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet dhe shoqërohet me dënimin plotësues të heqjes së të drejtës për të ushtruar funksione publike për një kohë të caktuar.
3. Përdorimi në mënyrë të paligjshme i të dhënave zyrtare të cilat duhet të qëndrojnë sekrete nga zyrtari publik ose personi i ngarkuar me një shërbim publik për të siguruar për vete apo për të tjerë një përfitim material të paligjshëm, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet dhe shoqërohet me dënimin plotësues të heqjes të së drejtës për të ushtruar funksione publike.
4. Nëse ky fakt kryhet me qëllimin për të siguruar një përfitim jopasuror të padrejtë për vete ose për të tjerë ose për t’i shkaktuar të tjerëve një dëm të padrejtë, apo ndikuar nga qëllime politike, dënohet me burgim nga një deri në gjashtë vjet dhe shoqërohet me dënimin plotësues të heqjes të së drejtës për të ushtruar funksione publike.
Neni 309- Kryerja e funksionit apo shërbimit pas dhënies fund të tij
Vazhdimi i ushtrimit të funksionit shtetëror apo të shërbimit publik nga ana e personit që është vënë në dijeni të vendimit apo rrethanës që u ka dhënë fund ushtrimit të tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.
Neni 310- Përvetësimi i pasurisë duke shpërdoruar detyrën
1. Përvetësimi i fondeve, aseteve apo i një sendi të luajtshëm nga zyrtari publik ose personi që kryen shërbim publik, të cilin e posedon apo e mban për shkak të detyrës ose shërbimit, për shkak të besimit të dhënë për ta administruar pasurinë, apo duke përfituar nga natyra e detyrës që kryen, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
2. Nëse autori është person zyrtar i zgjedhur, apo sendi apo e mira tjetër materiale prek investimet apo interesat financiare të Bashkimit Evropian, dënimi rritet deri në një të tretën.
3. Kjo vepër konkurron me veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Neni 311- Përvetësimi i pasurisë gjatë kryerjes së detyrës
1. Personi zyrtar i cili gjatë kontrollit të banesës, lokaleve, personit apo gjatë çdo procedure që mundëson atë të trajtojë pasurinë e viktimës, merr pasurinë e luajtshme me qëllim përfitimi për vete apo të tjerë, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
2. Kjo vepër konkurron me veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Neni 312- Përdorimi i pasurisë në mënyrë të padrejtë
1. Marrja ose përdorimi qoftë edhe i përkohshëm në mënyrë të padrejtë nga zyrtari publik, për vete ose për të tjerët, të një shume të hollash, letra me vlerë apo pasuri tjetër të luajtshme që i është besuar atij në detyrë ose në përgjithësi në vendin e punës apo, në të cilat ka qasje për shkak të shërbimit apo punës së tij, ose dhënia e pasurisë publike një personi tjetër, gjatë kohës që ushtron funksionin ose shërbimin publik, në kundërshtim me rregullat e administrimit financiar, kur qëllimi i kryerjes së veprës nuk është përvetësimi i tyre, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
2. Kur fondet, sendi apo e mira tjetër materiale prek investimet apo interesat financiare të Bashkimit Evropian, dënimi me burgim shtohet deri në një të tretën e tij.
Neni 313 -Pranimi i dhuratave
Pranimi nga zyrtari publik, i çdo lloj dhurate, për vete ose për persona të tjerë, dhënë atij për shkak të ushtrimit të funksionit të tij publik, kur ajo mbahet e padeklaruar me qëllim për ta përvetësuar për vete, dënohet me gjobë ose me burgim nga tre muaj deri në tre vjet.
Neni 314- Pasurimi i paligjshëm
Pasurimi i paligjshëm, nëpërmjet shtimit domethënës, të rëndësishëm e të pajustifikuar te saj, e cila kapercen mundesine per tu siguruar me te ardhurat e ligjshme te deklaruara nga zyrtari publik, dënohet me burgim nga 2 deri ne 7 vjet.
Neni 315- Zhvatja
Moskryerja e qëllimtë e detyrës nga zyrtari publik, kushtëzimi i plotësimit të detyrës publike me qëllimin e përfitimit material ose jo material, për vete ose për persona të tjerë, krijimi artificialisht i rrethanave negative në dëm të viktimës me qëllim manipulimin e nevojës së tij dhe ta detyrojë atë të paguajë, zvarritja e përfundimit të saj me synimin për të marrë paraprakisht përfitimin e paligjshëm, dënohet me burgim nga pesë deri në tetë vjet dhe dënimin plotësues të heqjes së ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë nga pesëmbëdhjetë deri në njëzet vjet.
Neni 316- Fshehja e pasurisë
Zyrtari publik që, qëllimisht fsheh me çdo mënyrë burimin e paligjshëm të pasurisë së një tjetri që e ka krijuar atë, ose zotëron në mënyrë të pandërprerë një pasuri të kujtdo që e ka përfituar nga njëra prej veprave penale të parashikuara nga nenet 301, 310, 315, 318, 322, 323, 324, 325, 326, 327, 328 dhe 329 të këtij kreu, duke e ditur mënyrën e paligjshme të krijimit të saj, kur nuk përbën vepër penale më të rëndë, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet.
Neni 317 -Arkëtimi dhe pagesa e kundërligjshme
Personi zyrtar që me dashje arkëton pagesë nga viktima, e cila nuk është e detyruar që të paguajë ose, arkëton më shumë sesa viktima është e detyruar të paguajë apo, që gjatë pagesës ose dërgesës, paguan ose dërgon më pak sa është dashur, kryen kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Neni 318 -Mashtrimi në detyrë
Personi zyrtar, i cili me qëllim për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme, për vete apo për të tjerë, krijon, përdor ose paraqet në të rremë raportin e llogarive apo, me çdo mënyrë tjetër vë në lajthim viktimën për të kryer pagesa ose transferta të kundërligjshme të parave, të pasurisë ose të drejtave të tjera reale, apo i kërkon transfertat e paligjshme si favorizime për shkak të raportit ndikues përmbi viktimën, dënohet me burgim nga katër deri në dhjetë vjet.
Neni 319 -Shpërdorimi i kontributeve
1. Shpërdorimi i kontributeve të bëra nga qytetarët në mbështetje të thirrjes së bërë nga administrata publike për lehtësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësi natyrore, duke i përdorur ato në vepra dhe veprimtari të ndryshme nga destinacioni për të cilin janë grumbulluar, dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.
2. Kur kontributi është siguruar nga fonde të BE-së, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.
Neni 320 Refuzimi për deklarim ose deklarimi i rremë i pasurive apo interesave private
1. Refuzimi i deklarimit të pasurisë apo interesave private nga personi që sipas ligjit përkatës ka detyrimin ligjor për të bërë deklarimin e tyre, kur më parë ndaj tij janë marrë masa administrative për shkelje të njëjta, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
2. Deklarimi i rremë apo fshehja e qëllimtë e pasurive apo interesave private nga subjektet e paragrafit të parë të këtij neni, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Neni 321 Përdorimi i shpikjeve
Përdorimi për përfitimin e vet ose të një tjetri nga zyrtari publik ose personi që ushtron një shërbim publik, i një shpikjeje ose zbulimi shkencor apo i një teknike të re industriale, për të cilat është vënë në dijeni për shkak të detyrës ose shërbimit dhe që, sipas ligjit duhet të qëndrojnë sekrete, dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet dhe shoqërohet me dënimin plotësues të heqjes të së drejtës për të ushtruar funksione publike.
Neni 322 Shkelja e barazisë së kandidatëve ekonomikë në procedurat e koncesionit
1. Kryerja e qëllimtë e veprimeve te pabarabarta nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik, që shmangin garën reale, konkurrimin e ndershëm dhe cenojnë barazinë e kandidatëve, operatorëve ekonomikë, në procedurat e kërkuara nga ligji për hyrjen në një prokurim koncesionar/partneritet publik-privat, marrja e masave me qëllim për të diskriminuar apo favorizuar subjekte të veçanta tregtare, duke vendosur apo ndikuar të vendosë fitues të procesit një subjekt të pamerituar, kur me pare jane marre masa administrative perkatese, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.
2. Dënimi i mësipërm shtohet me një të dytën nëse veprimet e mësipërme janë bërë për të mbështetur subjekte që dihej apo duheshin përjashtuar nga gara për shkak të pengesave ligjore që rëndojnë mbi ta.
3. Nëse vepra penale është kryer për qëllim përfitimi ajo konkurron me veprën penale të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
4. Me togfjalëshin “kur më parë jane marre masa administrative perkatese” përdorur në këtë nen, kuptohet fakti i fillimit të procedimit penal ndaj subjektit tatimor, vetëm nëse ndaj tij janë marrë masa administrative më parë për një shkelje tjetër të ngjashme dhe, dënimet përkatëse administrative mase që përfshihet në ligjin perkates qe rregullon veprimtarine e fushes, pervec rastit te permendur ne paragrafin 3 te ketij neni. Për sa lidhet me efektin e përsëritjes, subjekti nuk vlerësohet si përsëritës i kryerjes së veprës penale në kuptim të ligjit penal.
Neni 323 Shkelja e barazisë së kandidatëve ekonomikë në procedurat e prokurimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë
1. Kryerja e qëllimtë e veprimeve te pabarabarta nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik, që shmangin garën reale, konkurrimin e ndershëm dhe cenojnë barazinë e kandidatëve, operatorëve ekonomikë, në procedurat e kërkuara nga ligji në një prokurim në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, marrja e masave me qëllim për të diskriminuar apo favorizuar subjekte të veçanta tregtare, kur prokurimi është deri në vlerën e prokurimit të thjeshtuar, sipas parashikimeve të legjislacionit të fushës, apo kur për të njëjtat arsye është vendosur apo ndikuar të vendoset fitues të procesit një subjekt të pamerituar, kur me pare jane marre masa administrative perkatese , dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
2. Po kjo vepër, kur kryhet në procedurat mbi këtë vlerë, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet.
3. Po kjo vepër, kur procedurat e prokurimit publik zhvillohen në kufirin e lartë monetar, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
4. Dënimi i mësipërm shtohet me një të dytën nëse veprimet e mësipërme të përcaktuara në tre paragrafët më lart, janë bërë për të mbështetur subjekte që dihej apo duheshin përjashtuar nga gara për shkak të pengesave ligjore që rëndojnë mbi ta.
5. Nëse vepra penale është kryer për qëllim përfitimi ajo konkurron me veprën penale të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
6. Me togfjalëshin “kur më parë jane marre masa administrative perkatese” përdorur në këtë nen, kuptohet fakti i fillimit të procedimit penal ndaj subjektit tatimor, vetëm nëse ndaj tij janë marrë masa administrative më parë për një shkelje tjetër të ngjashme dhe, dënimet përkatëse administrative mase që përfshihet në ligjin perkates qe rregullon veprimtarine e fushes, pervec rastit te permendur ne paragrafin 5 te ketij neni. Për sa lidhet me efektin e përsëritjes, subjekti nuk vlerësohet si përsëritës i kryerjes së veprës penale në kuptim të ligjit penal.
Neni 324 Shkelja e barazisë së kandidatëve ekonomikë në procedurat e prokurimit publik
1. Kryerja e qëllimtë e veprimeve te pabarabarta nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik, që për qëllim përfitimi, për qëllim përfitimi, shmangin garën reale, konkurrimin e ndershëm dhe cenojnë barazinë e kandidatëve, operatorë ekonomikë, në procedurat e kërkuara nga ligji në një prokurim publik, marrja e masave me qëllim për të diskriminuar apo favorizuar subjekte të veçanta tregtare, kur prokurimi është në vlerën e kufirit të prokurimeve me vlerë të vogël sipas parashikimeve të legjislacionit të fushës, apo kur për të njëjtat arsye është vendosur apo ndikuar të vendoset fitues i procesit një subjekt i pamerituar, kur me pare jane marre masa administrative perkatese, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
2. Po kjo vepër, kur kryhet në procedurat mbi këtë vlerë, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.
3. Dënimi i mësipërm shtohet me një të dytën nëse veprimet e mësipërme janë bërë për të mbështetur subjekte që dihej që duheshin përjashtuar nga gara për shkak të pengesave ligjore që rëndojnë mbi ta.
4. Nese nga kryerja e vepres penale sipas paragrafeve te ketij neni ka ardhur dem ekonomik i rendesishem, denimi perkates shtohet deri ne 1/3 e tij.
5. Nëse vepra penale është kryer për qëllim përfitimi ajo konkurron me veprën penale të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
6. Me togfjalëshin “kur më parë jane marre masa administrative perkatese” përdorur në këtë nen, kuptohet fakti i fillimit të procedimit penal ndaj subjektit tatimor, vetëm nëse ndaj tij janë marrë masa administrative më parë për një shkelje tjetër të ngjashme dhe, dënimet përkatëse administrative mase që përfshihet në ligjin perkates qe rregullon veprimtarine e fushes, pervec rastit te permendur ne paragrafin 5 te ketij neni. Për sa lidhet me efektin e përsëritjes, subjekti nuk vlerësohet si përsëritës i kryerjes së veprës penale në kuptim të ligjit penal.
Neni 325 Shkelja e barazisë së kandidatëve ekonomikë në procedurat e ankandit publik
1. Kryerja e qëllimtë e veprimeve te pabarabarta nga personi i ngarkuar me funksione shtetërore apo në shërbim publik, që për qëllim përfitimi, shmangin garën reale, konkurrimin e ndershëm dhe cenojnë barazinë e kandidatëve, operatorëve ekonomikë, në procedurat e kërkuara nga ligji në një ankand publik, marrja e masave me qëllim për të diskriminuar apo favorizuar subjekte të veçanta tregtare, kur ankandi është në vlerën një milion lekë, apo kur për të njëjtat arsye është vendosur apo ndikuar të vendoset fitues i procesit një subjekt i pamerituar, kur me pare jane marre masa administrative perkatese, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.
2. Po kjo vepër, kur kryhet në procedurat mbi këtë vlerë, dënohet me burgim nga një deri në shtatë vjet.
3. Dënimi i mësipërm shtohet me një të dytën nëse veprimet e mësipërme janë bërë për të mbështetur subjekte që dihej qe duheshin përjashtuar nga ankandi për shkak të pengesave ligjore që rëndojnë mbi ta.
4. Nese nga kryerja e vepres penale sipas paragrafeve te ketij neni ka ardhur dem ekonomik i rendesishem, denimi perkates shtohet deri ne 1/3 e tij.
5. Nëse vepra penale është kryer për qëllim përfitimi ajo konkurron me veprën penale të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
6. Me togfjalëshin “kur më parë jane marre masa administrative perkatese” përdorur në këtë nen, kuptohet fakti i fillimit të procedimit penal ndaj subjektit tatimor, vetëm nëse ndaj tij janë marrë masa administrative më parë për një shkelje tjetër të ngjashme dhe, dënimet përkatëse administrative mase që përfshihet në ligjin perkates qe rregullon veprimtarine e fushes, pervec rastit te permendur ne paragrafin 5 te ketij neni. Për sa lidhet me efektin e përsëritjes, subjekti nuk vlerësohet si përsëritës i kryerjes së veprës penale në kuptim të ligjit penal.
Neni 326 Keqadministrimi i fondeve të BE-së përgjatë procedurave të prokurimit publik
1. Në cilindo rast të kryerjes së prokurimit publik të përmendur në dispozitat e këtij kreu, kur prokurohen apo shpërndahen nëpërmjet garës së subjekteve tregtare vendase apo të huaja, fonde të BE-së, dënimi me burgim do të shtohet me një të tretën për secilën nga veprat penale të kryera.
2. Përdorimi ose paraqitja e deklaratave ose dokumenteve të rreme, të pasakta ose të paplota, që ka si pasojë shpërdorimin ose mbajtjen e gabuar të fondeve ose aseteve nga buxheti i BE ose buxhetet e menaxhuara nga ose në emër të tij, denohet me burgim nga dy deri ne shtate vjet.
3. Keqpërdorimi i fondeve ose aktiveve të tilla për qëllime të ndryshme nga ato për të cilat janë dhënë fillimisht, kur dëmtohen interesat financiare të Bashkimit denohet me burgim nga tre deri ne shtate vjet.
Neni 327 Ndikimi i paligjshëm
1. Premtimi, ofrimi ose dhënia një nëpunësi publik ose çdo personi tjetër, drejtpërdrejt, në mënyrë të tërthortë ose nëpërmjet çdo ndërmjetësi, e një përfitimi të parregullt, me qëllim që zyrtari publik, ose personi tjetër, të keqpërdorë ndikimin e tij të vërtetë ose të supozuar me qëllim që një organ administrativ ose publik të japë një përfitim të parregullt për nxitësin e parë të këtij akti ose për çdo person tjetër të lidhur me të, pavarësisht nëse ndikimi ka arritur apo jo qëllimin e synuar, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
2. Kërkimi ose pranimi nga një nëpunës publik ose çdo person tjetër, drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë, i një përfitimi të parregullt për vete ose këdo tjetër, me qëllim që nëpunësi publik, ose çdo person tjetër, të keqpërdorë ndikimin e tij të vërtetë ose të supozuar, me qëllim që të përfitohet për nxitësit një përfitim i parregullt nga një organ administrativ ose publik, pavarësisht nëse ndikimi ka arritur apo jo qëllimin e synuar, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.
3. Për qëllim të këtij ligji me zyrtarin publik do të kuptohet edhe çdo zyrtar publik i huaj.
Neni 328 Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike
1.Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt, tërthorazi ose nëpërmjet çdo ndërmjetësi, i çdo lloj përfitimi të parregullt, dhurate ose i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte, dhurate apo premtimi që do marrë përfitim të parregullt, nga personi që ushtron funksione publike, për të kryer ose mos kryer një veprim ne perputhje me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.
2. Kur nga këto veprime dëmtohen ose rrezikojnë te demtohen interesat financiare të Bashkimit Evropian, dënimi me burgim shtohet deri në një të tretën e tij.
Neni 329 Korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publikë
1. Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt, tërthorazi ose nëpërmjet çdo ndërmjetësi, i çdo lloj përfitimi të parregullt, dhurate apo premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte, dhurate a premtimi që do marrë përfitim të parregullt, nga nëpunësi i huaj publik, nëpunësi i një organizate publike ndërkombëtare, strukturave të BE-së, anëtari i një asambleje të huaj publike apo anëtari i një asambleje ndërkombëtare parlamentare, për të kryer ose për të mos kryer një veprim ne perputhje me detyrën a funksionin e tij, kur cenohen interesat e shtetit apo shtetasit shqiptar, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.
2. Kur nga këto veprime dëmtohen ose rrezikojnë te demtohen interesat financiare të Bashkimit Evropian, dënimi me burgim shtohet deri në një të tretën e tij.
Neni 330 Konspiracioni për korrupsion
Krijimi i planeve, rrethanave apo gjetja e bashkëpunëtorëve për të kryer cilëndo prej krimeve të korrupsionit të parashikuara në këtë kre, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Neni 331 Shkelja e paprekshmërisë së banesës
1. Hyrja, kontrolli ose qëndrimi në banesën e një personi apo në mjedise të tjera që njehsohen me të, kundër vullnetit apo pëlqimit të tij, nga punonjësi i ngarkuar me një funksion shtetëror apo në shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, apo, qoftë edhe duke shfrytëzuar detyrën, por në keqpërdorim të pozitës publike në mungesë të një akti ligjor apo tej rasteve të parashikuara me ligj, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.
2. Për qëllim të këtij ligji me shprehjen “apo në mjedise që barazohen me të” kuptohen, por nuk kufizohen në banesën dhe kopshtin rrethues, edhe mjediset e biznesit, zyrës, hotelit apo dhomat e marra me qera.
Neni 332 Pengimi dhe shkelja e fshehtësisë së korrespondencës
1. Hapja pa autorizim e letrës, telegramit, faksimilit apo çdo dokumenti tjetër të mbyllur ose, dërgesë apo komunikim elektronik të personit që i drejtohet ky material/komunikim ose, në ndonjë mënyrë tjetër cenon fshehtësinë e materialeve të tilla apo kur, pa autorizim mban, fsheh, asgjëson ose i dorëzon një personi tjetër letrën, telegramin, faksimilin, komunikimin elektronik apo çdo dokument tjetër të mbyllur ose dërgesë të personit që i drejtohet materiali/komunikimi, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
2. Ndërhyrja pa autorizim në bazën e të dhënave kompjuterike të personit që i përkasin këto të dhëna ose këto të dhëna shfrytëzohen apo i vihen në dispozicion një personi tjetër, dënohet me gjobë ose burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.
3. Kur vepra penale sipas parashikimeve të paragrafit të parë ose të dytë të këtij neni kryhet me qëllim përfitimi pasuror apo për t’i shkaktuar dëm personit që i drejtohen/përkasin këto të dhëna, dënohet me gjobë ose me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Neni 333 Rrethana të cilësuara
Nëse çdo njëra nga veprat penale të këtij kreu do të kryhet nga zyrtarë të lartë publikë, dënimi respektiv i dhënë për veprën e kryer do të shtohet deri në një të tretën më shumë.
Lini një Përgjigje