I ati i Ibrahim Licit, Mustafa Lici, ishte këtë të mërkurë në SPAK. Pas marrjes në pyetje ai ka folur edhe për mediat, ku tha se është pyetur në cilësinë e personit në dijeni.
Mbetet e paqartë se për çfarë është marrë në pyetje babai i të kërkuarit si i dyshuar për vrasje pasi vetë Mustafa Lici refuzoi të tregonte se për çfarë çështje ishte thirrur.
“Këtë radhë pash një ambient shumë të bukur në SPAK. Nuk i pash më metodat që ishin dikur. Më pyetën për disa probleme për të cilat nuk mund t’jua shpjegoj. Nuk kishte lidhje me operacionin absolutisht. Më pyetën dhe dhashë përgjigjet e mia. Jam pyetur si person që mund të ketë dijeni për diçka”, tha Mustafa Lici.
Kujtojmë se Ibrahim Licit, është përmendur në dosjen “Metamorfoza” ku thureshin plane për ta ekzekutuar.
Gjithashtu Ibrahim Lici, është një person i njohur për policinë. Emri i tij lidhet me ngjarje të bujshme të ndodhura në qytetin e Shkodrës. Ai është në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës. Ngjarje e ndodhur në maj të 2021.
Në dosjen “Metamorfoza” janë hetuar bisnezmeni Pëllumb Gjoka, Drejtori i Forcave Operacionale Oltion Bistri, ish-prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita dhe të tjerë, të cilët kanë kërkuar lirinë në Apelin e GJKKO-së.
Bëhet fjalë për një seri të gjatë përgjimesh të realizuara nga autoritetet franceze, ku janë zbardhur një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, kryesisht të ndodhura në qarkun e Shkodrës dhe Lezhës, ku 3 protagonistët në fjalë rezultojnë në hetime si bashkëpunëtorë të disa prej emrave të njohur të botës së krimit.
Lini një Përgjigje