
Ditën e sotme në GJKKO u mbajt gjyqi për ish ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar për shpërdorim detyre lidhur me masakrën e Gërdecit.
Mediu ishte prezent në Gjykatën e Posaçme ku seanca ka nisur prej orës 09:00 me dëshminë e ish zyrtarit të ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlzen Madani.
Ish ministri i Mbrojtjes pasi doli nga gjyqi i GJKKO-së në një prononcim për median ftoi të gjithë të dëshmojnë për të thënë të vërtetën.
“Ministri i Mbrojtjes nuk ka bërë asgjë veçse ka zbatuar ligjin dhe detyrën. Shpresoj që të gjithë të vijnë të dëshmojnë e të flasin, në interes të zbardhjes së të vërtetës të dëshmojë për të thënë të vërtetën” tha Mediu.
Ndërkohë ish zyrtari i ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlzen Madani është një nga bashkëtëpandehurit që ka pranuar të dëshmojë njësoj si Ylli Pinari seancën e kaluar.
Në gjyqin e parë të Gërdecit në mars 2012 gjykata e Tiranës e dënoi me 3 vite burg dhe 300 mijë lek gjobë.
Madani po i përgjigjet pyetjeve të prokurorit Klodian Braho, Fatmir Mediu dhe avokatit të familjarëve të viktimave të masakrës së Gërdecit.
Ai është pyetur dhe dha shpjegime lidhur me vendimin 550 të ministrit të Mbrojtjes mbi demontimin, përcaktimin e vendit në Gërdec.
Madani tha se Gërdeci u përcaktua nga palët dhe se transporti është përballuar nga privati.
Në lidhje me faksin me emrin “Shkëlzen Berisha” U shpreh se "i ka shkuar atij por ia ka adresuar Drejtorisë Juridike pasi nuk ishte në adresë të tij.
Madani është thirrur si dëshmitar nga akuza.
Më pas pritet të dëshmojnë dhe dy ushtarakë të tjerë. Në seancën e radhës janë të thirrur dhe Luan Hoxha, ish shefi i shtabit të përgjithshëm që ndodhet në Amerikë. Ende nuk dihet si do të merret dëshmia e tij.
Në seancën e mbajtur më 10 janar, dëshmitar ishte edhe ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari i dënuar me 15 vjet burg për masakrën e Gërdecit, i liruar pas 6 viteve në qeli, ia faturoi të gjithë përgjegjësinë Forcave të Armatosura.
Ndërsa ish-ministri, Fatmir Mediu, i marrë i pandehur nga GJKKO për shpërdorim detyre në masakrën e Gërdecit ku vdiqën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë, tha para gazetarëve se duhet të deklasifikohen raportet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështjen e Gërdecit, një javë pas tragjedisë.
Lini një Përgjigje