
Nga e hëna anija Libra, do të kthehet në stacionin e saj 20 milje nga Lampedusa për të patrulluar ujërat dhe për të mirëpritur refugjatët e shpëtuar në Mesdhe. Më pas do t’i dërgojë ata në Shqipëri...
Italia rikthen operacionin “Albania” lidhur me refugjatët. 17 ditë pas mbërritjes së azilkërkuesve të parë dhe 15 ditë pas kthimit të tyre drejt Italisë pas vendimit të gjykatës, moti i mirë është rikthyer, Roma provon sërish.
Nga e hëna Libra, anija e Marinës, do të kthehet në stacionin e saj 20 milje nga Lampedusa për të patrulluar ujërat dhe për të mirëpritur refugjatët e shpëtuar në Mesdhe dhe për t’i dërguar ata në Shqipëri: vetëm burrat e rritur që vijnë nga vende që konsiderohen të sigurta sipas legjislacionit italian. Një dispozitë me një shtrirje më të gjerë se indikacionet e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, në bazë të së cilës magjistratët e Romës më 18 tetor rrëzuan draftin e parë të marrëveshjes.
Në thelb, vendimi i gjykatës së Romës vendosi se "procedura e përshpejtuar e kufirit" nuk mund të zbatohet për emigrantët që vijnë nga vende që konsiderohen të sigurta vetëm nga Italia dhe jo nga legjislacioni evropian. Tashmë është e qartë se për Gjykatën e Drejtësisë së BE-së një vend nuk mund të përkufizohet si i sigurt nëse edhe një pakicë e vogël qytetarësh janë në rrezik dhe i takon gjyqtarit përgjegjës që të dallojë rast pas rasti nëse riatdhesimi do të rrezikonte jetën e personit. Prandaj, Roma, nëse do të ndiqeshin kriteret e Gjykatës së BE-së, do të duhej të rishikonte listën e saj të vendeve të sigurta, duke përjashtuar për shembull Tunizinë, Egjiptin apo Bangladeshin nga ku vijnë shumica e azilkërkuesve. Ky do të ishte fundi i projektit “Albania”.
Dhe në vend të kësaj, pas përplasjes kokë më kokë me gjyqësorin, sherrin e nxehtë politik dhe polemikat mbi kostot e operacionit, qeveria italiane po përpiqet sërish të mbajë në këmbë paktin me Shqipërinë.
Më 21 tetor ajo miratoi një dekret ligjor që shënon zgjerimin e listës së saj të "vendeve të sigurta", e cila kaloi nga e drejta dytësore në atë parësore, me qëllim forcimin e saj dhe vendosjen e saj si prioritet, në hierarkinë ligjore, në lidhje me indikacionet e Gjykatës Evropiane.
A është i mirë vendimi i dytë? Të martën e kaluar mbërriti dokumenti i parë zyrtar që vë në dyshim legjitimitetin e kësaj mase: Gjykata e Bolonjës, duke shqyrtuar një ankesë të paraqitur nga një tridhjetë vjeçar nga Bangladeshi, të cilit i ishte refuzuar azili, i kërkoi Gjykatës së Drejtësisë së BE-së të përcaktonte se dekreti nuk duhet të zbatohet duke qenë se kriteret e përdorura nga qeveria në përcaktimin e një vendi "të sigurt" bien ndesh me ligjin evropian.
Ndërkohë, hotspot-i i Shëngjinit dhe tre objektet e qendrës së Gjaderit, një për azilkërkuesit, një për emigrantët që do të riatdhesohen dhe burgu, mbeten “në pritje”. Prej dy javësh ata kanë mbetur pa “mysafirë”, por të populluar nga gati 300 punëtorë: përkthyes, pastrues, staf mjekësor dhe infermieror dhe oficerë policie, polici financiare dhe karabinierë. Një tjetër shenjë shenjë se Meloni nuk tërhiqet është komunikimi që u shfaq dje në faqen e Ministrisë së Drejtësisë për kontratën e pastrimit në IEVP “Gjadër” që i është caktuar një kompanie nga Tirana, “Pastrime Silvio” me vlerë 48 mijë euro për 6 muaj. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje