TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Maj 2024, 11:34

Megaoperacioni i SPAK u dekonspirua? Altin Dumani: Ulëritëse që shefat e policisë bashkëpunojnë me krimin!

Shkruar nga Pamfleti
Megaoperacioni i SPAK u dekonspirua? Altin Dumani: Ulëritëse që
Kreu i SPAK, Altin Dumani

Kreu i SPAK, Altin Dumani është pyetur sot në Komisionin e Ligjeve nëse megaoperacioni i SPAK ku u goditën 7 grupe krimainale në vend u dekonspirua nga Policia.

Ai tha se në dijeninë e tij, mega-operacioni ku u lëshuan 50 urdhërarreste nuk është dekonspiruar.

'Na kanë rezultuar drejtues të lartë të policisë së shtetit të lidhur me krimin, është ulëritëse kur bëhen pjesë dhe bashkëpunojnë me krimin e organizuar. Ish drejtori i operacionales, disa shefa krimesh, dhe nuk rri dot pa e adresuar këtë shqetësim, por që kemi një bashkëpunim shumë të mirë me policinë e shtetit nuk mund të rri pa e thënë.', tha Dumani.

Ndërkohë 4 efektivët që bashkëpunonin me kriminelë, të zbuluar në operacionin e fundit të SPAK janë përjashtuar nga forcat e rendit.

Ata janë Klodian Shahini dhe Henerigert Mitri. Në dosjen e SPAK-ut sqarohej se kur ishin drejtues në policinë e Lezhës ata bashkëpunonin me Edison Recin për të realizuar hakmarrjen e tij ndaj Preng Gjinit.

Klodian Shahini dyshohet se duke shfrytëzuar pozicionin e tij si nënpunës policie, ka ndihmuar Elson Reçin për t’i verifikuar atij targat e automjeteve të përdorura nga Preng Gjini, si dhe të gjitha hyrje-daljet e këtij të fundit nga pikat kufitare në vend.

Nga zbardhimi i aplikacioneve të koduara, kanë dalë bisedat mes të arrestuarve që u përkasin grupeve kriminale të goditura nga SPAK. Vetëm këto përgjime janë 20 fashikuj, ndërsa vendimi i gjykatës është me 243 faqe.

Nga 50 urdhër arreste në total, 14 prej tyre u ekzekutuan brenda vendit, ndërsa 6 të tjera jashtë, 2 në Itali, 1 në Gjermani, 1 në Spanjë dhe 2 në Belgjikë. 30 të tjerë janë ende në kërkim, mes tyre edhe ish-deputeti i PS, Arben Ndoka.

Gjatë kontrolleve në vilat e bosëve të krimit u gjetën rreth 3 mln euro cash, flori e pasuri të tjera, në total 4.5 mln euro. Prokuroria e Posaçme goditi grupin kriminal të Ervis Martinajt, i cili në aleancë me grupin e drejtuar nga ish deputeti i PS, Arben Ndoka, dhe bashkëpunëtor me grupin kriminal të Avdylajt në Durrës, rekrutonin vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Gjithashtu ata kontaktuan Emiljano Shullazhin për realizimin e vrasjes se Durim Bamit.

 

dumani spak

Lini një Përgjigje