TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Maj 2024, 10:55

Kreu i SPAK: Bankat bashkëpunojnë me grupet kriminale për pastrimin e parave, blerja e apartamenteve forma kryesore

Shkruar nga Pamfleti

Kreu i SPAK: Bankat bashkëpunojnë me grupet kriminale për

Altin Dumani

Kreu i SPAK, Altin Dumani në raportimin e tij te Komisioni i Ligjeve ka bërë një deklaratë të fortë  teksa ka deklaruar se bankat dhe bizneset shqiptare po përdoren si ndërmjetës nga organizatat kriminale për pastrimin e parave në Shqipëri.

Sipas kreut të SPAK, forma kryesore e pastrimit të lekëve për pista është blerja e apartamenteve, pra investimi në prona të luajtshme dhe të paluajtshme në Tiranë e në zonat turistike si Durrësi, Vlora dhe Lezha. 

Sipas Dumanit ka një rritje të përdorimit të shoqërive tregtare si dhe investimi në prona të paluajtshme dhe depozitime në llogari të ndryshme bankare.

‘Ka prani të pastrimit të parave, që bëhet edhe me ndërtimet. Edhe terrorizmi është ndër aktivitetet kriminale më të rralla. Sa i takon korrupsionit, përdoret procedura që përfitojnë nga fondet publike, që përdorin llogari offshore. Edhe disa banka janë të përfshira në skemën e pastrimit të parave”,- tha Dumani.

Kreu i SPAK më tej tha se grupet kriminale shqiptare janë të përfshira në tregjet ndërkombëtare, duke pasur një rol dominues në vendet e origjinës së trafikut të kokainës.

“Disa gjetje të bëra nga prokuroria lidhur me tipologjinë e krimit të organizuar. Grupet kriminale shqiptare janë përfshirë në tregun ndërkombëtar të trafikimit të drogave të forta, duke pasur e kontrolluar trafikun në cikël të mbyllur dhe duke pasur pozicion dominues në vendet e origjinës së trafikut të kokainës. Këto grupe kriminale kanë një anëtarësi nga 10 deri në 15 personash, aktivitet polikriminal, nga trafiku i drogës te vrasjet me pagesë. Shqetësim është veprimtaria”, tha Dumani.

Dumani në raportimin e tij u ndal edhe tek veçoritë e grupeve kriminale. 

“Grupet kriminale janë përfshirë në trafikim të drogave të forta. Grupet kanë aktivitete poli-kriminal, duke përfshirë dhunën për shkak të kontrollit të territorit, komunikimi i koduar, konvertimi i parave në kriptovaluta.

Ka shumë grupe kriminale që operojnë përmes call center. Dëmi ndaj viktimave është në mijëra euro. Qytetet më problematike janë Tirana, Elbasani, Durrës, Vlorë, Kurbin, Shkodër, Laç, Fushë Krujë. Në Fushë Krujë ka veprimtari kriminale si vrasja dhe shpërthimet.”, deklaroi Dumani.

Ai gjithashtu paraqiti edhe disa shqetësime, duke kërkuar këtu shtimin e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“Ne kemi paraqitur në raport disa shqetësime, siç është mungesa e përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit. Mungesa e këshilltarëve ligjorë. Mungesa e referimeve nga institucionet publike, shtimi i numrit të hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, numri i konsiderueshëm i procedimeve të mbartura, mungesa e kompetencave për shqyrtimin e kërkesave të autoriteteve të huaja lidhur me njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja në Shqipëri në ngarkim të shtetasve shqiptarë për veprat penale”, tha Dumani.

altin dumani

Lini një Përgjigje