
Prokuroria e Posaçme duket se e ka ‘qepur’ dosjen ndaj Ilir Metës sa i takon CEZ-DIA. Aty janë futur materiale dhe dëshmi. SPAK ka analizuar për shembull një rast, kur Meta pretendonte se kishte marrë kërcënime nga Tom Doshi. Sipas tij, ai kishte bërë aleancë me Dritan Priftin dhe Vojsava Ismailajn. SPAK për këtë rast ka marrë në pyetje Spartak Brahon, i cili tregon të vërtetat. Po ashtu është pyetur edhe Ilir Kulla.
Dosja e SPAK
Me shkresën Nr.5070-K/4 prot., datë 09.10.2015, Drejtoria e Policisë së Shtetit ka dërguar aktet proceduriale në lidhje me detyrat e lëna për marrjen e deklarimeve shtetasve Vojsava Ismailaj, Tom Doshi, Dritan Prifti etj.
Shtetasit Tom Doshi, Dritan Prifti dhe Vojsava Ismailaj pranojnë që janë takuar, por nuk pranojnë që të kenë kërcënuar apo të kenë bashkëpunuar për ndonjë organizim apo krijimin e destabilitetit sic pretendohet. Pranojnë që janë takuar në Hotel Sheraton ku kanë biseduar për Kastriot Ismailaj që ndodhej në burg për shkak të kontratës CEZ dhe DIA, por sipas tyre nuk kanë patur biseda me karakter destabilizues apo të kenë ushtruar presione ndaj njëri-tjetrit dhe të kenë kërcënuar ndonjë person.
Nga deklarimi i shtetasit Spartak Braho, i datës 03.11.2023. përftohet e dhëna se në vitin 2015, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e RSH, i është drejtuar me një letër disa prej zyrtarëve më të lartë të shtetit për ekzistencën e një skenari destabilizmi ndërmjet personave, Tom Doshi, Dritan Prifti, në lidhje me shtetasin Kastriot Ismailaj dhe bashkëshorten e tij Vojsava Ismailaj. Lidhur me këtë fakt, ai ka shpjeguar se: "Mbaj mend që në atë kohë, para letrës së mësipërme, unë kam patur një bisedë me Ilir Metën, i cili ishte kryetar i Kuvendit.... Në bisedë me tha që unë në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, duhet të informoja institucionet kryesore pasi po flitet për jetën e disa personave të rëndësishëm të shtetit, ndër të cilët ishte edhe vete ai. Në bisedë me Ilirin, ai më tha se pati marrë kërcënime nga shetasi Tom Doshi. Iliri më pati thënë se po i kërcënohet jeta atij vetë, bashkëshortes së tij Monikës, si dhe gruas së Kastriot Ismailajt. Vojsava. Nuk më shpjegoi konkretisht burimin e konfliktit që kishte me Tom Doshin. Por për këto arsye, ai parashtroi shqetësimet e tij dhe kërkoi që unë me cilësitë që kisha të informoja organet kryesore. Dhe kështu unë më pas, duke i besuar këtyre shqetësimeve që ai kishte, e kalova në rrugë zyrtare duke bërë edhe informimin përkatës".
I pyetur në lidhje me njohjen e shtetasve Arjan Laçi dhe Spartak Braho në deklarimin e datës 03.11.2023 ka deklaruar se: ... shtetasin Arian Laçi, nga Durrësi, që merret me transport detar me anije e njeh si durrsak edhe si pronar anijesh. Nuk ka ndonjë marrëdhënie të veçantë apo shoqërore me të. Gjithashtu di që Arian Laçi është mik i Ilir Metës dhe se e ka dëgjuar të përmendet prej Ilir Metës emri i Arian Laçit, si dhe ka dëgjuar prej Ilirit se e ka patriot nga Skrapari".
I pyetur se çfarë tjetër ka mësuar prej shtetasit Ilir Metaj, lidhur me shtetasin Arian Laçi dhe a e ka ndihmuar shtetasi Arian Laçi shtetasin Ilir Metaj në ndonjë fushatë elektorale, Spartak Braho deklaroi se "Ilir Meta nuk para ka folur shumë për Arian Laçin.". I pyetur nëse ka dijeni të ndonjë marrëveshjeje mes shtetasit Kastriot Ismailaj dhe shtetasit Ilir Meta ka deklaruar se nuk ka dijeni se çfarë marrëveshjeje mund të ketë patur Ilir Meta me Kastriot Ismailajn por kishte dijeni që me njëri-tjetrin kishin njohje dhe shoqëri. Sikurse rezulton nga deklarimet përftohen të dhëna, në lidhje me marrëdhëniet që ekzistonin mes shtetasve Kastriot Ismailaj dhe Ilir Metaj.
Me datën 07.11.2023, është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të hetimit shtetasi Ilir Kulla i cili ka shpjeguar ndërmjet të tjerave se: "...Në vitin 2009 ndodhi ndryshimi i pushtetit pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe Kastrioti në bisedat që kam patur me të, më pati thënë se kishte një miqësi me shtetasin Genc Ruli, me Dritan Priftin dhe me Ilir Metën. Për Ilir Metën, Kastrioti fliste shpesh. Thoshte se kishte miqësi të vjetër me të, njohje familiare, por une personalisht nuk i kam takuar ndonjëherë bashkë". /Pamfleti
Lini një Përgjigje