TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Maj 2026, 20:00

“Mafia e High Street”, si përmenden shqiptarët në rrjetin e bizneseve të pista në Britani

Shkruar nga Pamfleti
“Mafia e High Street”, si përmenden shqiptarët në
Kontrollet në rrugët e Mbretërisë së Bashkuar

Bizneset me para “cash”, minimarketet, lavazhet dhe dyqanet e ëmbëlsirave amerikane dyshohet se përdoren për pastrim parash, kontrabandë dhe shfrytëzim të punëtorëve

Në të gjithë Britaninë, shumë rrugë kryesore tregtare që dikur lulëzonin janë kthyer në një pamje të zymtë. Kasapët dhe tregtarët tradicionalë lokalë janë zëvendësuar nga berberhane, minimarkete që funksionojnë kryesisht me para në dorë, dyqane vape-sh dhe lavazhe makinash me çmime shumë të ulëta.

Një raport i fundit pretendon se shumë prej këtyre bizneseve përdoren si fasadë për aktivitete të dyshimta dhe tregon se krimi i organizuar ka depërtuar në qendrat urbane britanike. Grupet kriminale shpesh i përdorin këto ambiente për aktivitete të paligjshme si pastrimi i parave apo shitja e mallrave të falsifikuara dhe potencialisht të rrezikshme.

Duncan Stephenson nga Instituti i Çertifikuar i Standardeve Tregtare (CTSI), i cili publikoi gjetjet, tha për “The Sun” se fenomeni është i përhapur dhe prek rrugët kryesore tregtare në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. “Krimi i organizuar ka zënë rrënjë”, shprehet ai.

Sipas raportit të CTSI-së, 97 % e oficerëve të Standardeve Tregtare kishin dijeni për grupe të dyshuara kriminale që operonin në ambiente biznesi në zonat e tyre. Raporti zbuloi gjithashtu se në disa zona, deri në gjysmën e minimarketeve dhe dyqaneve të vape-ve kishin lidhje me botën e krimit. Në zona të tjera, deri në një të tretën e dyqaneve të stilit amerikan të ëmbëlsirave dhe një të katërtën e fast-food-eve vlerësohej se kishin lidhje të ngjashme.

“Kjo prek çdo pjesë të Mbretërisë së Bashkuar,” tha Duncan, duke shtuar se shkalla reale e problemit mund të jetë edhe më e madhe sesa paraqitet në raport. “Pamja që del është shumë shqetësuese”, shprehet ai.

Këshillat bashkiakë punësojnë oficerë të Standardeve Tregtare për të mbrojtur konsumatorët dhe bizneset legjitime, si edhe për të garantuar që aktivitetet tregtare të zhvillohen ligjërisht dhe ndershmërisht.

Por puna e tyre është bërë gjithnjë e më e vështirë. Rreth 72 për qind e stafit raportuan se kishin përjetuar tentativa frikësimi dhe madje kërcënime me dhunë. Sipas raportit, ulja e financimeve, mungesa e stafit në terren, shtimi i ambienteve bosh dhe zgjerimi i rrjeteve kriminale kombëtare që arrijnë t’u shmangen kontrolleve lokale kanë bërë që “bizneset e dyshimta” të bëhen pjesë e zakonshme e rrugëve tregtare.

Megjithatë, qeveria britanike ka njoftuar një operacion të ri prej 30 milionë paundësh, ku Agjencia Kombëtare e Krimit dhe 75 policë të rinj do të bashkëpunojnë me Standardet Tregtare për të luftuar aktivitetet kriminale në Greater Manchester, West Midlands, Essex dhe Kent.

Ministri i Sigurisë, Dan Jarvis, tha se “mijëra” ambiente biznesi do të kontrollohen në muajt në vijim, në përpjekje për të ndalur pastrimin e rreth 1 miliard paundëve në vit përmes bizneseve të lidhura me mallra të falsifikuara, evazion fiskal, skllavëri moderne dhe drogë të paligjshme.

Megjithatë, largimi i grupeve kriminale nga rrugët tregtare mbetet një sfidë e madhe. Më poshtë paraqitet mënyra se si operojnë këto rrjete dhe çfarë masash po diskutohen për t’i ndalur.

Si shfrytëzohen punëtorët në lavazhe

Çmimet shumë të ulëta në lavazhet manuale shpesh bëhen të mundura vetëm përmes shfrytëzimit të fuqisë punëtore. Viktimat, zakonisht migrantë të joshur me premtime për punë, përfundojnë duke u paguar shumë pak, ndërsa pronarët përfitojnë fitime të mëdha.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit, viktimat vijnë shpesh nga Europa Lindore, përfshirë Rumaninë, Shqipërinë dhe Bullgarinë. Edhe pse shumica e lavazheve janë biznese legjitime, çmimet jashtëzakonisht të ulëta konsiderohen shenjë paralajmëruese për shfrytëzim të mundshëm. Punëtorët shpesh nuk pajisen me mjete mbrojtëse kundër kimikateve të forta dhe detyrohen të punojnë pa doreza apo me këpucë të zakonshme sportive.

Në nëntor, pronari i një lavazhi, Hewa Margai, 45 vjeç, u dënua me tetë vite e gjysmë burg për vepra që lidhen me skllavërinë moderne në jugperëndim të Londrës. Ai akuzohej për trafikimin dhe shfrytëzimin e tetë shtetasve rumunë, përfshirë një djalë 15-vjeçar, të cilëve u kishte premtuar strehim, pagesë të drejtë dhe punë në Britani. Në vend të kësaj, ai i detyroi të punonin në lavazhin e tij dhe i strehoi në një dhomë të vogël brenda ambientit të biznesit.

Mallra të paligjshme dhe drogë në minimarkete dhe dyqanet e vape-ve

Edhe pse shumë minimarkete, dyqane vape-sh dhe markete lagjeje funksionojnë normalisht dhe ligjërisht, autoritetet raportojnë rritje të numrit të atyre që përfshihen në praktika të paligjshme. Shitja e vape-ve dhe produkteve të duhanit të falsifikuara ose të paligjshme konsiderohet shqetësim i madh për Standardet Tregtare.

Përveç humbjeve financiare për shtetin, HMRC vlerëson se shitja e duhanit të paligjshëm i kushtoi buxhetit britanik 1.8 miliard paundë taksa të papaguara gjatë vitit 2023/24, ekziston edhe rrezik për shëndetin publik. Mallrat e falsifikuara, shpesh të prodhuara në Kinë, fshihen në vende të sofistikuara, aq sa kërkohen qen nuhatës për t’i zbuluar. Sipas Duncan Stephenson, disa raste kanë treguar edhe lidhje me krime më të rënda.

“Kemi hasur raste ku vape-t u jepeshin të rinjve në këmbim të favoreve seksuale,” tha ai.

Në prill, një hetim mbi minimarketet në West Midlands zbuloi se disa prej tyre funksiononin edhe si pika shpërndarjeje droge. Gjatë hetimit, studiues të infiltruar raportuan se iu ofruan narkotikë si kokainë dhe kanabis direkt pas banakut.

Pastrim parash përmes berberhaneve

Rritja e menjëhershme e numrit të berberhaneve në rrugët tregtare u konsiderua një nga shenjat më të dukshme se rrjetet kriminale po operonin hapur. Në shumë raste, këto biznese vazhdonin të funksiononin edhe pse kishin pak ose aspak klientë.

Nuk ka prova që të gjitha berberhanet e hapura së fundmi janë të lidhura me krimin e organizuar. Megjithatë, Duncan Stephenson tha se "aktualisht ka një përqendrim jashtëzakonisht të madh berberhanesh në rrugët tregtare, por nuk ka aq shumë njerëz për t’u qethur.”

Për shkak se operojnë kryesisht me para në dorë, këto biznese konsiderohen të favorshme për pastrim parash. Ndryshe nga bizneset që shesin mallra të numërueshme, është shumë e vështirë të verifikohet sa prerje flokësh janë kryer realisht apo sa është paguar për to.

Vitin e kaluar, operacioni “Machinize” i Agjencisë Kombëtare të Krimit zhvilloi kontrolle në biznese me qarkullim të lartë parash, përfshirë berberhane, pas informacioneve që i lidhnin ato me krimin e organizuar. Autoritetet sekuestruan mbi 40 mijë paundë cash, 200 mijë cigare, 7 mijë pako duhani, 8 mijë vape të paligjshme dhe dy automjete.

Evazion fiskal në dyqanet e ëmbëlsirave

Në disa zona, deri në një të tretën e dyqaneve të ëmbëlsirave në stil amerikan dyshohet se lidhen me aktivitete të paligjshme, përfshirë fshehjen e mallrave të falsifikuara dhe pastrimin e parave.

Në prill të vitit të kaluar, mallra false dhe të pasigurta me vlerë mbi 80 mijë paundë u sekuestruan në një dyqan në Oxford Street, Londër. Dyshimet nisën pasi dy turistë raportuan se ishin tarifuar gabimisht me 900 paundë për disa pako karamelesh.

Policia bastisi dyqanin dhe dy punonjës u arratisën përmes një paneli të fshehtë. Kontrolli çoi në zbulimin e një dhome sekrete me dalje emergjente dhe mallra të dyshuara të paligjshme, përfshirë produkte ushqimore amerikane, cigare, vape, qese nikotine dhe bateri portative.

Këto dyqane përdoren edhe për evazion fiskal përmes një metode të njohur si “phoenixing”. Kjo praktikë konsiston në braktisjen e një kompanie për të shmangur borxhet, ndërsa aktiviteti vazhdon përmes një kompanie të re ose të lidhur, me të njëjtat asete por me emër tjetër. Kjo është arsyeja pse shumë dyqane të tilla mbyllen dhe rihapen me ndryshime minimale në emër apo inventar.

Skllavëri moderne në sallonet estetike

Ashtu si bizneset e tjera që funksionojnë me para cash, edhe sallonet estetike janë vënë nën vëzhgim për lidhje të mundshme me aktivitet kriminal. Edhe pse shumë prej tyre janë legjitime, disa dyshohet se shfrytëzojnë migrantë dhe viktima të skllavërisë moderne.

Për oficerët e Standardeve Tregtare, shqetësim mbetet edhe përdorimi i kimikateve dhe produkteve kozmetike të pasigurta. Duncan Stephenson tha se autoritetet duhet të jenë vigjilente edhe ndaj krimeve më serioze. Duke përshkruar shenjat paralajmëruese, ai tha se “oficerët mund të vënë re se stafi nuk komunikon me Standardet Tregtare. Mund të duken të tërhequr ose të frikësuar. Ndonjëherë, gjatë kontrollit, mund të gjejnë edhe dyshekë në pjesën e pasme të ambientit.”

Në këto raste, migrantët dhe viktimat e skllavërisë moderne shpesh detyrohen të punojnë për të shlyer borxhet ndaj trafikantëve, ndërsa pasaportat dhe dokumentet personale u konfiskohen.

Kjo situatë mund të përfundojë tragjikisht, si në rastin e vitit 2019, kur trupat e 39 shtetasve vietnamezë u gjetën të mbytur në pjesën e pasme të një kamioni në Essex.

Ekspertët deklaruan në atë kohë se shumë prej viktimave ishin joshur me premtimin për punë në sallonet britanike të thonjve.

Çfarë pritet të ndodhë?

Lufta kundër grupeve kriminale të lidhura me këto biznese ka qenë e vështirë për shkak të kompetencave të kufizuara të autoriteteve. Megjithatë, në kuadër të planit të ri qeveritar, Agjencia Kombëtare e Krimit do të marrë 20 milionë paundë për të forcuar operacionet.

Gjithashtu do të shtohen 75 policë në zonat problematike dhe do të rritet financimi për Standardet Tregtare. Një konsultim publik do të shqyrtojë edhe zgjatjen e urdhrave gjyqësorë për mbylljen e ambienteve të dyshuara, nga tre muaj deri në një vit ose edhe pa afat.

Duncan Stephenson kërkon gjithashtu më shumë kompetenca për Standardet Tregtare, përfshirë të drejtën për të detyruar individët të identifikohen gjatë hetimeve.

Ai kërkon edhe masa që do të pengonin personat nën hetim të hapnin biznese të reja në zona të tjera. “Ndonjëherë, të njëjtët persona hapin aktivitete të ndryshme në të njëjtën rrugë,” tha ai.

Sipas tij, mbështetje duhet t’u jepet edhe pronarëve të ambienteve që pa dijeni ua japin me qira bizneset grupeve kriminale. /Përshtati Pamfleti nga The Sun/



britania shqiptaret mafia biznese

1 Komente

  1. T
    Tony

    C'jane keto turpe qe thoni? Shqiptareve po u kalerohet nena ne pune te renda e ndertim e ju prrallisni mufka. Krimin ne Britani e kryesojne ata qe arriten te nxjerrin kryeminister Indianet. Ne te gjitha telefonatat scam (te qelbura mashtruese) jane indianet e call cenres qe nga India. Kane zaptuar mjekesine e jane mjeke leshi. Dyqanet e vogla qe shesim mall fallco qe te cigaret e deri te lengjet i kane Aziatiket. Jeni media anti Shqiptare me duket. Ka Shqiptare majmune palaco, ka por nuk permenden nga media qe jane te paret. Pse nuk permenden djemte tane qe jane edhe ne ushtrine Britanike e ne ruajtjen e rendit ne polici? Mos i kini frike Shqiptaret e Europes e kryesisht Britanise qe, femijet e tyre marrin doktorata ne te gjitha shkencat e po dallohen. Si duket keni frike se u marrin politiken, pushtetin, bizneset? Mos u shqetesoni se nuk ju permjerin fare, se e ndertuan jeten e tyre me mund djerse e gjak si jetimet e nuk kane nder mend ta prishin Pse nuk permendni arritjet e Shqiptareve por merreni me ndonje lekure patatesh o te mjere. Mesoni se c'bejne mafia serbe e te tjeret.

    Lini një Përgjigje