Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj rasteve të mashtrimeve online përmes faqeve false që imitojnë institucionet zyrtare, përfshirë platformën e-Albania.
Sipas AKSK, është identifikuar një rast phishing i shpërndarë kryesisht në rrjetet sociale, veçanërisht në Facebook, ku përdoruesit ridrejtohen në faqe që imitojnë platformën zyrtare e-Albania me qëllim vjedhjen e të dhënave personale dhe kredencialeve të aksesit.
Autoriteti bën me dije se menjëherë pas identifikimit të rastit janë ndërmarrë masat përkatëse, ndërsa në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, domain-et dhe adresat IP të përdorura në këtë aktivitet keqdashës janë dërguar për bllokim pranë AKEP.
Në njoftim, AKSK u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në linke të dyshimta që u dërgohen përmes rrjeteve sociale apo aplikacioneve të komunikimit dhe të shmangin vendosjen e të dhënave personale apo bankare në faqe të pa verifikuara.
Autoriteti thekson se platforma zyrtare e-Albania aksesohet vetëm përmes adresave zyrtare institucionale, ndërsa sulmet phishing synojnë të mashtrojnë qytetarët përmes imitimit të faqeve të njohura.
AKSK apelon për vigjilencë të shtuar nga çdo përdorues online, në mënyrë që të shmangen rastet e mashtrimeve dhe vjedhjes së të dhënave personale.
“Menjëherë pas identifikimit të rastit, AKSK ka ndërmarrë masat përkatëse dhe në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, domain-et dhe adresat IP të përdorura në këtë aktivitet keqdashës janë dërguar për bllokim pranë AKEP. BËNI KUJDES! Mos klikoni në linke të dyshimta që ju vijnë në rrjetet sociale apo aplikacione komunikimi. Mos vendosni të dhënat tuaja personale apo bankare në faqe të pa verifikuara. Verifikoni gjithmonë adresën zyrtare të platformave përpara se të identifikoheni. Platforma zyrtare e e-Albania aksesohet vetëm përmes adresave zyrtare institucionale. Sulmet phishing synojnë të mashtrojnë qytetarët përmes imitimit të faqeve të njohura dhe kërkojnë vigjilencë të shtuar nga çdo përdorues online”, thuhet në njoftim.
Lini një Përgjigje