TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Maj 2026, 15:23

Vijon përplasja për Aeroportin e Vlorës, Pacolli: 50 inxhinierë kinezë po mbahen të izoluar në kushte të papranueshme!

Shkruar nga Pamfleti
Vijon përplasja për Aeroportin e Vlorës, Pacolli: 50
Behgjet Pacolli

Behgjet Pacolli ka reaguar sërish për situatën në Aeroportin e Vlorës, ku sipas tij mbi 50 inxhinierë kinezë po qëndrojnë të izoluar brenda kampit të ngritur nga kompania MABCO për strehimin e stafit teknik.

Ai deklaron se hyrja në zonë vijon të kontrollohet nga roje private në prani të Policisë së Shtetit, ndërsa punëtorëve shqiptarë, inxhinierëve dhe nënkontraktorëve nuk u lejohet hyrja në kantier.

Sipas Pacollit, edhe personat që ndodhen brenda aeroportit përballen me kufizime lëvizjeje. Ai pretendon se inxhinierëve u është komunikuar se mund të largohen nga zona vetëm nëse pranojnë të mos rikthehen më në ambientet e kampit.

Në reagimin e tij, Pacolli thekson se stafi teknik ka ardhur në Shqipëri për të punuar në një projekt strategjik dhe jo për t’u përballur me masa izolimi.

"Këta njerëz nuk kanë ardhur në Shqipëri për t’u trajtuar si të dyshuar apo si të burgosur. Kanë ardhur për të punuar në një projekt strategjik", shkruan Behgjet Pacolli.

Pacolli ka publikuar edhe disa fotografi që tregojnë situatën e rëndë të krijuar në zonën e aeroportit, pasi përfaqësues të kompanisë së tij sot me zor kanë mundur të fusin ushqime dhe ilaçe për këta inxhinierë të izoluar.

Ai e cilëson situatën si shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare të punës. Sipas tij, asnjë mosmarrëveshje kontraktuale nuk mund të justifikojë kufizimin fizik të stafit teknik në një projekt me rëndësi strategjike.

"Sot ata kërkuan ushqim dhe medikamente. Dhe vetëm me shumë vështirësi arritëm t’u dërgojmë ndihmë bazike. E gjithë kjo po ndodh para syve të institucioneve shtetërore. Jemi duke folë për shkelje serioze të të drejtave themelore njerëzore, të standardeve ndërkombëtare të punës dhe të çdo norme minimale të trajtimit dinjitoz të njerëzve. Asnjë konflikt kontraktual nuk mund të justifikojë izolimin e njerëzve dhe bllokimin fizik të stafit teknik në një kantier strategjik", shkruan ai.

Në përfundim, ai u bëri thirrje institucioneve shqiptare të ndërhyjnë për zgjidhjen e situatës, duke paralajmëruar se ngjarja mund të ndikojë negativisht në imazhin e Shqipërisë përballë investitorëve të huaj.

behgjet pacolli aeroporti i vlores

1 Komente

  1. A
    Atedhetar

    Largoni sa me pare kinezet Nuk duam inxhinjere kinase Larg nga nderhyrja e Parise Komuniste e Kines

    Lini një Përgjigje