TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Nëntor 2024, 16:05

Liria e medias në pikë kritike, Reporterët pa Kufij: Të forcohet siguria për gazetarët dhe të rritet pavarësia

Shkruar nga Pamfleti

Liria e medias në pikë kritike, Reporterët pa Kufij: Të

Organizata Reporterët pa Kufi dhe Këshilli Shqiptar i Medias publikuan sot një paketë rekomandimesh për të mbrojtur gazetarët në Shqipëri, për të siguruar të drejtën e informimit dhe një peizazh mediatik të pavarur, pluralist dhe të besueshëm.

Nisma u mor për shkak se, siç vlerëson organizata RSF, niveli i lirisë së shtypit në Shqipëri është një nga më të ulëtit në Europë dhe është përkeqësuar për një kohë të gjatë.

Shqipëria renditet e 99-ta midis 180 shteteve në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, që publikoi Reporterët pa Kufi në maj për vitin 2024, dhe e fundit në rajon krahasuar me vendet e zonës së Ballkanit.

Në udhërrëfyesin e publikuar sot gjatë një konference shtypi online propozohet për mbrojtjen e gazetarëve, që Shqipëria të forcojë ligjet për të kundërshtuar paditë abuzive SLAPP ndaj tyre, duke kërkuar që ankesa të kalojë nga një mekanizëm vetërregullues para se të shqyrtohet nga një gjykatë.

Rekomandimet janë organizuar rreth tre objektivave:

Forcimi i sigurisë së gazetarëve: Duhet të krijohet një kuadër ligjor i fortë për të kundërshtuar paditë abuzive (SLAPP), për të rritur mbrojtjen për burimet gazetareske dhe për të krijuar një Plan Veprimi Kombëtar për Sigurinë e Gazetarëve (NAPSJ). Këto masa do të siguronin mbrojtje dhe mjete juridike për gazetarët që përballen me kërcënime, abuzime ose survejim të padrejtë.

Ruajtja e pavarësisë dhe pluralizmit të medias: Projekti propozon detyrime ligjore për organet e mediave që mbështesin pavarësinë editoriale dhe transparencën rreth pronësisë së tyre. Masat specifike përfshijnë mbrojtje më të forta për median e shërbimit publik të Shqipërisë (RTSH) dhe kërkesën që kompanitë e medias të zbulojnë detajet e pronësisë për të zbutur konfliktet e interesit.

Mbështetja e qëndrueshmërisë dhe besimit të publikut në media:  RSF rekomandon stimuj ekonomikë për mediat që u përmbahen standardeve të besueshme të gazetarisë, si Iniciativa e Mirëbesimit në Gazetari (JTI). Masat shtesë përfshijnë promovimin e praktikave etike të reklamimit dhe inkurajimin e modeleve të abonimit dixhital për të forcuar pavarësinë e mediave nga presioni politik dhe i korporatës.

Lini një Përgjigje