
Kush po tenton ta mbajë masën e fanatikëve me 'lojë sherifash', duke stimuluar tension…
Ka disa ditë që në mjediset e Partisë Demokratike po vlon një entuziazëm i madh që vjen prej një thashethemi që është përhapur nga “zyra e madhe”.
Sali Berisha, nëpërmjet njerëzve të afërt të tij, u ka shpërndarë strukturave në bazë një ‘memo’, që kërkon ta bëjnë virale sa më shumë të jetë e mundur.
Sipas kësaj ‘memo’-je, Doktori e ka të sigurt llafin se Edi Rama do të arrestohet para 11 majit, e kjo do të sjellë fitoren e demokratëve në zgjedhje.
Gjithçka, ka thënë doktori do të vijë me ardhjen e “sherifit” Chris LaCivita, i cili do të plasë ‘bombën e madhe’, brenda në Tiranë.
Me shpërndarjen e kësaj ‘memo’-je janë ngarkuar njerëzit më të aftë për të hedhur trutë e gomarit në mendjet e militantëve. Prej tre ditësh, që kur është shpërndarë ‘memo’ e Doktorit, duhet thënë se ka ngjitur në pjesën më të madhe të militantëve fanatikë të tij.
Ka një masë të madhe që beson me të vërtetë se ‘sherifi’ do të arrestojë Edi Ramën para zgjedhjeve, e kjo e ka qetësuar mjaft Saliun. I cili po tenton ta mbajë masën e fanatikëve me lojë sherifash, duke stimuluar tension me ardhjen e La Civita-s. Jo më kot vendosi Fatmir Mediun në rolin e Ledion Liços, për t’i mbajtur fansat në ankth. Para dy ditësh, vetë Berisha në konferencën për shtyp, tha se “ardhja e La Civita-s do të jetë suprizë”, duke e veshur edhe më shumë me tis misterioz këtë çështje.
Po sa mund të ketë bazë kjo legjendë e madhe me sherif, që po përhap si mjegull pas shiut Sali Berisha tek njerëzit e tij besnikë, që ata ta tejçojnë sa më shumë tek masa e gjerë e votuesve?
Legjenda e sherifit nuk është ‘tymçja e parë’ që hidhet nga zyrat konspirative të doktorit në ish-selinë e Ushtrisë Popullore të Enver Hoxhës.
Në fundit të vitit që lamë pas, me një fjalë sapo fitoi Donald Trump, doza ‘stupefaciente e ketamine’s mediatike ishte ‘high’, madje edhe më shumë nga ajo që përdor Elon Musk për të qenë në një gjatësi vale me planetin Mars.
Sipas asaj gojëdhëne, “në janar do të bëhej hataja”. Trump, do ta rrëmbente me helikopter Edi Ramën, do ta mbyllte në një burg federal, diku në një ishull të humbur të Alaskës, për të mos dalë më prej andej.
Gjithashtu, po Trump do të shkarkonte urgjentisht Altin Dumanin dhe SPAK do të krijohej si një grup juristësh me dituri të lartë. Dhe dëgjoni se kush thuhej se do ta drejtonte SPAK-un: Argita Berisha!
Kjo legjendë qarkulloi në ambjentet e seksioneve të PD-së së Berishës ‘lagje më lagje’, deri pas përfundimit të Epifanisë, përkatësisht ditës së Ujit të Bekuar. Ditë, kur me kalimin e dehjes disa ditore të Vitit të Ri, nis dhe vjen kthelltësia në mendjet e fanatikëve, aq sa mund të vijë, natyrisht.
Me shfryrjen e tollumbacit të Vitit të Vi, nisi legjenda e re. Për të cilen u ngarkuan dy njerëz të afërt të Berishës; Edi Paloka dhe Klevis Balliu. Të cilët thanë që ‘Non Grata’, tashmë ka rënë dhe së shpejti Doktori niset për në SHBA me një “vizë speciale”.
Lajmi bëri bujë, sa u komentua dhe u mbrojt edhe në emisionet e ndryshme televizive nga mëngjesi në darkë. Ndryshe nga legjenda e janarit që fliste për Argitën në krye të SPAK, e që shërbente për “përdorim të brendshëm”, kjo e dyta ishte për “shpërndarje të menjëhershme në publik”.
Iku janari, shkurti dhe hyri marsi, nuk ndodhi as rënia e Non Grata-s, e as vizita e Sali Berishës në SHBA. Doktori doli vetë në televizion dhe përgënjeshtroi dy kolonelët e tij.
“Është lajm i rremë, nuk kam ftesë për në SHBA”, tha Berisha në studion e Arjan Çanit.
Nuk kaloi shumë pas asaj deklarate, e në zyrat e thashathemnajës u përhap ‘tymçja’ e radhës: Trump shkarkoi Yuri Kim dhe ish- ambasadorja në SHBA po hetohet për korrupsion. Për ta bërë më të besueshme, mediatikisht u publikua edhe një variant më soft: Yuri Kim ka dhënë dorëheqjen dhe ka pranuar të largohet, me kusht që të mos hetohet.
Sapo ndodhi kjo deklaratë, Departamenti i Shtetit publikon në faqen e tij njoftimin dhe përshkrimin për diplomatën Yuri Kim, në rolin e ri, si drejtoreshë e supervizimit të ndihmave me jashtë.
Pak ditë pas kësaj, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, sulmoi ashpër një figurë politike të njohur në rajon, i cili është shpallur Non- Grata nga parardhësi i tij, Antony Blinken. Bëhej fjalë për kreun e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili ka lobuar fuqishëm në SHBA dhe pajtoi avokat personal, pikërisht Rudi Giulianin, ish- avokatin personal të Donald Trump-it.
Pak ditë më pas, Rubio, shpalli ‘Non Grata’, dy ish-pushtetarë të lartë të Argjentinës, me të njëjtin motivacion që ka sanksionuar edhe Sali Berishën: “për korrupsion domethënës”.
Pas kësaj, në zyrën e dizinformacionit, ku thuhet se ka këshilltarë të famshëm që kanë punuar dikur në Sigurimin e Shtetit, e për njërin thuhet se ka edhe fije ruse, ra heshtja.
Sali Berisha i mblodhi dhe u bërtiti, duke i thënë se asnjë nga fjalët që ata kishin përhapur në anëtarësi nuk ishin bërë realitet. Doktori ishte aq i nxehur, sa ishte skuqur i tëri.
Asnjë nuk pipëtinte në zyrën e madhe, ku të gjithë po shtrëngoheshin për të mbajtur të qeshurën, pasi gjithë ato tullumbace që kishin fryrë, i kishin marrë si porosi nga vetë Berisha, që duket se edhe vetë, kishte nisur tu besonte.
I dëshpëruar shumë, ai tha se duhet një fabul më e besueshme, jo e fryrë, por gjithashtu bombastike.
Fatmir Mediu, ka ndërhyrë menjëherë, duke thënë se e merrte ai përsipër këtë detyrë. Ngaqë do të shkonte në SHBA, për të shmangur procesin e tij të Gërdecit, tha se do të takonte LaCivita-n e do të përgatiste një fabul të besueshme që të lëshojë mjegull me shumicë. Mediu shtoi se për këto punë, “Sherifi” është mjeshtër i vërtetë, se e ka bërë me shumë kandidatë në SHBA, nga republikanët e Bush te ato të Trump, por edhe kandidatë të ndryshëm të Partisë Demokratike Amerikane.
E kështu ndodhi videoja e Mediut me Lacivita, ku amerikani premton se ishte rrugës për në Tiranë. Por, edhe pse kanë kaluar ditë, sherifi s’po vjen. Mediu postoi një tjetër status ku thoshte që fjala “jam rrugës” kishte të bënte “jam rrugës me mendje”.
Mirëpo, siç i thonë fjalës “enough is enough (mjaft është mjaft)”, edhe Doktori vendosi që ta lërë Fatmirin dhe hallet e tij, për t’ju drejtuar sërish zyrës së thashethemeve.
E cila ka hapur këtë ‘tymçen e fundit’: që sa të vijë Sherifi Edi Rama do të arrestohet!
Po kush do ta arrestojë? Pasi për të marrë vendimin duhet të mblidhet Kuvendi e të hapë procedurën për t’i hequr mbrojtjen ligjore që ka një deputet apo ministër. Aktulisht, Kuvendi nuk është i shpërndarë, por mund të mblidhet vetëm për çështje të rëndësishme, e nuk mund të marrë vendime që kanë të bëjnë me çështje të afërta me zgjedhjet e shpallura. Por edhe nëse mblidhet, do të duhet që të ketë vullnet nga mazhoranca që ta votojë. Mund ta bëjnë këtë socialistët para zgjedhjeve?
Një nga politikanët e rinj të PD-së, i tha Sali Berishës se s’ka pse themi “do arrestohet” themi do “jetë nën hetim” dhe është më e besueshme, por Doktori ja ktheu se “ashtu është një punë”. E kështu, demokratët janë gjithë ‘sy e veshë’, duke pritur Sherifin, derisa ‘bomba’ të plasë, e lusin Zotin të mos jetë sërish tullumbace./ Pamfleti
Lini një Përgjigje