TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Tetor 2025, 11:24

Kreu i Gjykatës së Lartë kritikon politikën: Qeveritarët kanë denigruar gjyqtarët!

Shkruar nga Pamfleti
Kreu i Gjykatës së Lartë kritikon politikën:
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi

Sipas tij, vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit ishte “një vdekje e paralajmëruar”.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në mbledhjen e Gjyqtarëve të Republikës, ka lëshuar kritika të ashpra ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe politikanëve.

Sipas tij, vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit ishte “një vdekje e paralajmëruar”. Sadushi tha gjithashtu se prej vitesh, gjyqtarët janë bërë shënjestër e fyerjeve, kërcënimeve dhe denigrimeve.

“Prej vitesh, gjyqtarët janë bërë shënjestër e fyerjeve, kërcënimeve dhe denigrimeve. Në vend që të mbrohej pavarësia e gjyqësorit, është goditur autoriteti i tij. Në vend që të ndërtohej respekti ndaj drejtësisë, është nxitur përbuzja ndaj saj. Në vend që të ngrihej besimi te ligji, është lejuar që opinioni publik të helmohet nga gjuha e urrejtjes dhe paditurisë”, tha Sadushi.

Sadushi kritikoi politikën, duke i bërë fajtorë për klimën që është krijuar ndaj gjyqtarëve, teksa tha se qeveritarët kanë nxitur përbuzjen ndaj drejtësisë.

 “Politikanë të lartë të vendit, të pushtetit apo të opozitës, ndjejnë sot lehtësi për të fyer, anatemuar apo tallur gjyqtarin që merr një vendim, ndoshta edhe pa e lexuar arsyetimin, pa pritur ankimin dhe pa respektuar hierarkinë gjyqësore. Në vend që të respektojnë procesin ligjor, ata nguten të vendosin vetë “drejtësinë” në mikrofon e kamera, duke gjykuar magjistratin si të ishte palë politike”, tha ai.

Më tej, Sadushi kritikoi edhe vetë aktorët e drejtësisë.

“Përpara se të drejtojmë gishtin nga të tjerët, ne duhet të fillojmë nga vetja. Duhet ta pranojmë me ndershmëri se drejtësia shqiptare nuk është ende në lartësinë që shoqëria pret prej saj. Duhet ta themi hapur: vonesat në gjykimin e çështjeve, zvarritjet e panevojshme procedurale dhe mosrespektimi i afateve ligjore për arsyetimin e vendimeve janë plagë të dukshme që dëmtojnë besimin e publikut. Ka raste ku proceset zvarriten për vite të tëra, pa një arsye të justifikuar, duke e kthyer pritjen e qytetarit për drejtësi në një dënim më vete. Ka vendime që mbeten të paarsyetuara në kohë, dhe të tjera që ndryshojnë nga një gjykatë në tjetrën, duke krijuar pasiguri dhe perceptim për mungesë koherence e drejtësie. Një gjyqësor që nuk është i parashikueshëm në jurisprudencën e tij, humbet forcën e ligjit dhe respektin e publikut. Kur qytetari nuk ka siguri se çfarë drejtësie do të marrë për të njëjtën situatë, atëherë e gjithë struktura e besimit tronditet. Po ashtu, mënyra e komunikimit tonë me publikun shpesh është e mbyllur, e ftohtë, e pakuptueshme për qytetarin”, tha ai.

Kreu i Gjykatës së Lartë u shpreh shumë kritik ndaj KLGJ-së: “Këshilli i Lartë Gjyqësor, si organi përgjegjës për qeverisjen e sistemit, nuk mund të heshtë shumicën e kohës dhe të reagojë vetëm ndonjëherë, kur situata bëhet e papërmbajtshme. Kjo qasje është e pakuptueshme dhe e papranueshme. KLGJ duhet të kuptojë rolin që i ka dhënë Kushtetuta, jo për të qëndruar në hije, por për të folur me forcë e dinjitet në emër të gjithë gjyqësorit. Është organ qeverisës, jo zyrë teknike; është përfaqësues i sistemit, jo zgjatim i heshtjes institucionale. Ai duhet të dijë t’u thotë pushteteve të tjera, me zë të lartë e të qartë, në çfarë gjendje ndodhet gjyqësori, cilat janë plagët e tij, cilat janë nevojat e tij dhe cilat janë pasojat e mosveprimit. KLGJ duhet të tregojë me dinjitet pozicionin e lartë që i është dhënë nga Kushtetuta, për t’u përballur dhe jo për të vegjetuar, për t’u ndeshur dhe jo për t’u konformuar. Këshilli nuk mund të jetë një organ që përshtatet me rrethanat; ai duhet të jetë një organ që i ndryshon ato. Gjyqtarët që janë zgjedhur në këtë organ kolegjial nga Ne, gjyqtarët e Republikës, duhet ta kuptojnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm. Ata nuk janë atje për të heshtur apo për të ruajtur ekuilibra të rremë; janë për të mbrojtur sistemin nga rrënimi dhe mosrespektimi. Nuk duhet të harrojnë se shumë shpejt, pas përfundimit të mandatit, do të kthehen në gjykatat nga të cilat kanë ardhur; dhe atëherë do ta ndjejnë vetë se sa e rëndë është pasojë e mosveprimit të tyre. Do ta kuptojnë sa shumë kanë humbur për gjyqësorin që nuk e mbrojtën siç duhet dhe sa pak kanë bërë për të ndryshuar gjendjen që sot e denoncojnë me heshtje”.

1 Komente

  1. D
    Drejtesi e vertete

    Ky nuk merret me thelbin e problemit të sistemit gjyqesor i cili i sorrollat qyretaret nga shkalla e psre në të dyten,bga e dyta në të paren për rigjykim,pastaj nga e para në te dyten dhe bga e dyta në gjykaten e lsrte dhe nga kjo në apel për rigjykim dhe bga apeli në gjykaten e larte.Kështu qytetareve nuk u mjafton jeta të të marrin drejtesi sepse kjo drejtesi kriminale nuk jep drejtesi.Fajtore eshte politika por edhe kta gjyqtaret janë po aq fajtore.Të mos e kërkojnë fajin tek te tjeret por tek vetja.Këta e vranë Astrit Kalanë.

    Lini një Përgjigje