TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Mars 2026, 20:45

Konflikti në Lindjen e Mesme, Ilir Kulla: Pse asnjëra palë nuk do ta humbasë këtë luftë

Shkruar nga Pamfleti

Konflikti në Lindjen e Mesme, Ilir Kulla: Pse asnjëra palë nuk do

Eksperti i sigurisë Ilir Kulla, duke folur për negociatat mes SHBA-së dhe Iranit, tha se të dyja palët po vendosin kushte ekstreme dhe praktikisht të parealizueshme ndaj njëri-tjetrit. Duke folur në emisionin “Të Pashoq”, në kanalin në Youtube të “Pamfleti”-t, Kulla shtoi se konflikti në Lindjen e Mesme ka arritur një pikë ku humbja nuk është më një opsion për asnjë nga tre protagonistët kryesorë, SHBA, Iran, Izrael.

Sipas tij, për Izraelin, ky konflikt ka përmasa ekzistenciale. Një humbje eventuale nuk do të ishte thjesht një disfatë ushtarake, por një kërcënim real për zhdukjen e shtetit. Nga ana tjetër, Kulla shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës rrezikojnë të humbasin shumë më tepër se një betejë. Një dështim për të dalë fitimtarë kundër Iranit do të shkaktonte një "zhvlerësim historik" të pozitës së tyre në rajonin më të rëndësishëm strategjik të botës.

Kulla tha se për Iranin, humbja do të ishte e barabartë me fundin e tij si shtet në formën që njihet sot. Një disfatë ushtarake nuk do të kërcënonte vetëm mbijetesën e regjimit aktual apo të komunitetit shiit, por do të niste një proces shpërbërjeje të vetë shtetit iranian. Një vend që nuk i ka ndryshuar kufijtë për 500 vjet, do të përballej me rrezikun e fragmentimit territorial, demografik dhe etno-fetar. Për Teheranin, kjo është një luftë për të ruajtur integritetin dhe ekzistencën e kombit.

Ai shtoi se në këtë situatë kaq komplekse, ku asnjëra palë nuk mund të përballojë humbjen, një paqe e qëndrueshme duket një objektiv i largët. Rezultati maksimal që mund të arrihet aktualisht është një armëpushim i përkohshëm, por edhe për këtë, asnjëra nga palët nuk shfaq dëshirë reale, pavarësisht deklaratave publike. Kulla theksoi se Dështimi i SHBA-së për të treguar dominancë mund të hapë gjithashtu kutinë e Pandorës, duke shtyrë aleatët rajonalë si Turqia dhe vendet arabe të kërkojnë armë bërthamore si garanci për sigurinë e tyre.

Pjesë nga intervista:

-Po gjashtë kushtet e Iranit, si ju dukën? Se edhe ato ishin të forta. Ndryshim juridik për ngushticën e Hormuzit, ëh dëmshpërblim për Iranin, ëh që ky konflikt të mos përsëritet më.

Ilir Kulla: Të dyja palët, të dyja palët po vënë kushte të parealizueshme. po vënë kushte ekstreme, në mënyrë që të kenë një, një të mesme të barabartë. Të bëj një analizë. Pse asnjë nga tre shtetet nuk mund të humbasë këtë luftë? Izraeli nuk mund ta humbasë sepse Izraeli rrezikon zhdukjen. Nga bregu perëndimor deri në detin Mesdhe është vetëm 9 km, në zonën e Çezarias. Dhe Izraeli e ka shumë qartë, që nëse Izraeli del humbës nga kjo luftë ku ka hyrë, jo vetëm që s'mund të ndryshojë dot ato kufijtë nga lumi në, nga lumenjtë në Mesdhe që thotë Bibla e vjetër e hala, por rrezikon realisht zhdukjen. Nëse do të ketë një humbje të një lufte e cila ka, ka filluar tashmë prej gati tre vitesh, dy vjet e gjysmë. Ëh, në anën tjetër, SHBA-ja, nëse nuk fiton këtë luftë, sepse prandaj i duhet të gjejë një, një të mesme diku, SHBA-ja rrezikon që për herë të parë ëh aleatët historikë të SHBA-së në rajon, arabët, pra aleatët e gjirit, të cilët janë edhe partnerët kryesorë ekonomikë të SHBA-së, rrezikon të thonë, po mirë atëherë kur ti nuk fitoke dot kundër Iranit, çfarë na duheshe? Pse duhet të vazhdojmë të blejmë borxhin e jashtëm amerikan edhe të jemi në, në të njëjtën linjë?

- Po pra po, e qartë është kjo pjesë.

Ilir Kulla: Kështu që SHBA-ja rrezikon, si me thënë, zhvlerësimin e saj historik të këtij rajoni. Një gjë që e ka marrë me shumë luftëra, me shumë mund, në shumë dekada. Kështu që, çfarë do ta ekuilibronte këtë gjë? Pra, nuk do të mjaftonin më marrëveshjet Abrahamike, për të cilat u punua shumë në mandatin e parë të Trumpit. Por në anën tjetër, kësaj radhe, arabët, ndoshta dhe Turqia, me shumë të drejtë mund të thonë, atëherë, përderisa Izraeli paska të drejtën e mbrojtjes bërthamore, pse mos ta kemi dhe ne këtë të drejtë të mbrojtjes bërthamore? Kur Irani u tregua kaq i fortë saqë SHBA-ja nuk fiton dot me Iranin. Kështu që SHBA-ja rrezikon jo vetëm marrëdhëniet me Iranin që janë ato që janë, pra që është në luftë, por rrezikon mbi të gjitha ekuilibrat me aleatët e vet historikë. Pra me ata që i japin naftën, gazin, rolin. Pra, SHBA-ja ka hyrë në një luftë që nuk mund ta humbë. Sepse i bie që të humbë një herë e përgjithmonë një, rajonin më të rëndësishëm të botës. Dhe në anën tjetër, Irani nuk mund të humbë. Sepse nëse Irani humb këtë luftë, Irani nuk do të ekzistojë më, të paktën jo ashtu siç e kemi njohur. Pra, shteti më i madh i atij rajoni, i cili prej 500 vjetësh nuk ka ndryshuar kufijtë, dhe është i detyruar pastaj të shkojë drejt një procesi shpërbërjeje. Pra nuk është vetëm çështja e mbijetesës së regjimit. Është çështja apo çështja e mbijetesës së shiitëve. Është çështja e mbijetesës së vetë Iranit. Si shtet, si territor, si gjeografi, si demografi, si përbërje etno-fetare. Ndaj është kaq komplekse kjo çështje, saqë rezultati maksimal që mund të mbërrihet në këtë moment, paqe jo jo, është një armëpushim. Gjë që unë për momentin e shoh në dëshirën e asnjërës nga të tre palët. Tjetër gjë çfarë thonë verbalisht dhe tjetër gjë se çfarë bën. Siç ka thënë Henry Kissinger, në diplomaci nuk është faji i atij që gënjen, po i atij që të beson.

kulla irani shba izraeli

Lini një Përgjigje