TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Mars 2026, 20:18

Skandali/ Pas Kuvendit, hakerët godasin Postën Shqiptare; bie faqja zyrtare

Shkruar nga Pamfleti
Skandali/ Pas Kuvendit, hakerët godasin Postën Shqiptare; bie faqja
Hakerohet posta

Qeveria ka hedhur miliona për sigurinë kibernetike, por hakerët e “Homeland Justice” kanë goditur nja prej institucioneve kyçe...

Pak ditë pas sulmit ndaj faqes së Kuvendit të Shqipërisë, grupi i hakerave “Homeland Justice” pretendon se ka goditur edhe Postën Shqiptare, duke thelluar shqetësimet për sigurinë kibernetike në vend.

Sipas një mesazhi të publikuar në Telegram, grupi deklaron se ka marrë në kontroll faqen dhe të dhënat e institucionit. Aktualisht, faqja zyrtare e Postës Shqiptare rezulton jashtë funksionit, ndërsa rrezikohen një sërë shërbimesh për qytetarët. Përmes Postës Shqiptare kryhen pagesa të rëndësishme, si gjobat e makinave dhe faturat e shërbimeve. Po ashtu hakerët pretendojnë se kanë marrë të gjitha të dhënat. 

Skandali/ Pas Kuvendit, hakerët godasin Postën Shqiptare; bie faqja
Bie faqja zyrtare

Në mesazhin e tyre, hakerët shprehen: “Posta Shqiptare u sulmua nga Patriotët e Homeland Justice për shkak të bashkëpunimit të saj të vazhdueshëm me muxhahedinët dhe lehtësimit të veprimtarive të tyre.

Ata shkojnë më tej me akuza të forta ndaj institucionit: “Zyrtarët e korruptuar të Postës Shqiptare janë kthyer në shërbëtorë të terroristëve të Kampit Ashraf 3 dhe nuk kanë më asnjë pavarësi në veprimet e tyre.”

Grupi paralajmëron gjithashtu përshkallëzim të sulmeve. “Veprimet tona të ardhshme do të jenë më të forta, më goditëse dhe më të kushtueshme. Ne kemi në dorë faqen dhe të dhënat e Postës Shqiptare dhe nuk do t’ju lëmë”, thuhet në mesazh.

Ky është një tjetër incident i rëndë që vë në pikëpyetje serioze efektivitetin e investimeve në sigurinë kibernetike. Pavarësisht miliona eurove të deklaruara nga qeveria për mbrojtjen e infrastrukturës digjitale, institucionet shtetërore vijojnë të jenë të ekspozuara ndaj sulmeve të përsëritura.

Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet shqiptare mbi shkallën e dëmit apo vërtetësinë e pretendimeve, ndërsa situata mbetet e paqartë dhe me ndikim të drejtpërdrejtë për qytetarët.

posta hakerët

Lini një Përgjigje