
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka hedhur poshtë kërkesat e avokatëve dhe ka lënë në fuqi masat ekzistuese të sigurisë për ish-zv.ministrin e Shëndetësisë Klodian Rjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj dhe 6 personat e tjerë të akuzuar për shpërdorim detyre dhe mashtrim në rastin e koncesionit të sterilizimit.
Mësohet se gjyqtarja Etleva Deda vlerësoi masat e sigurisë për 8 personat e akuzuar, teksa seanca u zhvillua me dyer të mbyllura.
Avokatet e personave pas hekurave dhe me arrest shtëpie kërkuan masa më të lehtë sigurie. Avokatja e ish-zv.ministrit të Shëndetësisë Klodian Rjepaj, Elvira Hysa kërkoi masë më të butë sigurie ose garanci pasurore.
Ndërkohë që pas dëgjimit të palëve, gjykata u tërhoq për vendim.
Biznesmeni Ilir Rrapaj dhe ish-zv.ministri Klodian Rjepaj janë arrestuar dje dhe ndodhen pas hekurave, teksa hetimet vijojnë për zyrtarë dhe persona të tjerë të përfshirë dhe në ditët në vijim mund të ketë të tjerë urdhër-arreste.
Më 23 qershor 2023, gjyqtari Erion Bani caktoi “arrest shtëpie” për Saimir Kadiun drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike në Ministrinë e Shëndetësisë. Mjeku Arben Gjata, shef Kirurgjie dhe rektor i Universitetit të Mjekësisë është lënë nga gjykata në masën detyrim paraqitjeje. E njëjta masë është vendosur edhe për të pandehurit Naile Ajazi, Genc Byrazeri dhe Petro Mersini, ish-drejtor i përgjithshëm i shërbimit spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërsa masat u ekzekutuan 2 muaj më pas, 16 - 17 gusht 2023.
Veprat penale të shënuara në dosje nga SPAK, janë falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre për zyrtarët, dhe mashtrim për biznesmenin Rrapaj. Prokurori mësohet se i ka dërguar kërkesat për masa në gjykatë në muajin qershor, por zbatimi i tyre është bërë vetëm pas lokalizimit të biznesmenit Ilir Rrapaj, i cili është ndaluar në Dhërmi ku ndodhej me pushime. Pronari i kompanisë fituese të koncesionit të sterilizimit Ilir Rrapaj, sipas burimeve të hetimit kishte refuzuar të paraqitej për të dëshmuar në SPAK.
Politikani Klodjan Rrjepaj tashmë i arrestuar për këtë çështje në vitet 2009-2012 ka qenë Drejtor Kabineti në Ministrinë së Shëndetësisë në kohën e drejtimit të saj nga Petrit Vasili. Më pas, Rrjepaj u emërua Zv.ministër si përfaqësues i LSI. Pronari i kompaninë me seli në Prishtinë, “Investital LLC”, Ilir Rrapaj, zotëron 40 për qind të aksioneve të subjektit “SaniService” i cili në vitin 2015, fitoi koncesionin për “ofrimin e shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, me afat 10-vjeçar.
Pjesa tjetër e aksioneve të kompanisë “SaniService” zotërohet nga tri subjekte, përkatësisht, SERVIZI ITALIA S.P.A, 30%, Tecnosanimed 15% dhe U.JET 15%. Mediat kanë raportuar se Rrapaj, ishte emigrant në Itali por u kthye në Tiranë dhe fitoi kontratën koncesionare 100 milionë dollarë.
Arrest me burg
Klodjan Rjepaj, ish-zëvendësministri i Shëndetësisë
Ilir Rrapaj, biznesmen
Arrest shtëpie
Saimir Kadiu, ish-drejtor ekonomik MSH
M. S., drejtoreshe juridike
Detyrim paraqitje
Arben Gjata
Pertef Mersini
Genc Burazeri
Naile Ajazi
Lini një Përgjigje