Brenda kampit të MEK në Manzë të Durrësit, policia ka gjetur disa servera kompjuterash që janë përdorur për sulme kibernetike.
Nëpërmjet këtyre serverave janë kryer sulme kibernetike ndaj disa institucioneve të huaja.
Qëllimi i kontrollit të policisë me urdhër të SPAK dhe GJKKO, ka qenë sekuestrimi i pajisjeve.
Brenda kampit të muxhahedinëve në Manzë ato kishin krijuar një qendër hakerash me të cilën kryenin sulme kibernetik në institucionet e huaja.
Ata kanë hasur në kundërshtimin e muxhahedinëve, duke detyruar policinë e shtetit që të kërkojë përforcime për zbatimin e këtij urdhri. Përforcimet mbërritën nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe forcat speciale RENEA.
Kontrollet e ushtruara nga antirerrori në kampin e muxhahedinëve në Manzë janë shoqëruar me tensione të shumta mes banorëve të kampit dhe policisë.
Gjatë përplasjes, iranianët pretendojnë se policia shqiptare ka përdorur dhunë dhe gaz lotsjellës, ku për pasojë kanë gjetur vdekjen dy anëtarë të tyre. Policia konfirmon vetëm një të vdekur dhe sqaron se viktima ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Në total, policia ka lëshuar 70 urdhërarreste ndaj anëtarëve të MEK. Policia sqaron gjithashtu se ajo ka zbatuar plotësisht legjislacionin në fuqi, respektimin e të drejtave të njeriut dhe marrëveshjen e strehimit të iranianëve në Shqipëri.
Ndërsa Ministria e Brendshme tha se muxhahedinët kanë shkelur marrëveshjen në bazë të së cilës janë strehuar në vendin tonë.
Lini një Përgjigje