Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do të jetë i pranishëm nesër në Gjykatën Administrative, ku do të shqyrtohet padia e tij për pavlefshmërinë e dekretit të vitit 2008 që lidhet me emërimin e prokurorit Olsi Dado.Prania e Veliajt në seancë është konfirmuar nga avokatët e tij përmes një njoftimi për mediat.
Çështja lidhet me dekretin e firmosur në vitin 2008 nga presidenti i asaj kohe, Bamir Topi, për emërimin e Dados si prokuror. Sipas informacionit të bërë publik, seanca në Gjykatën Administrative do të nisë në orën 13:00. Gjykata pritet të shqyrtojë kërkesë-padisë së paraqitur nga Veliaj për vlefshmërinë e aktit të emërimit.
Avokatët njoftojnë se “padia ngre një çështje thelbësore për funksionimin e shtetit të së drejtës: a mund të ushtrohet pushteti penal nga një subjekt që nuk i ka përmbushur kurrë kushtet ligjore për të qenë prokuror?"
Sipas kërkesë padisë, "emërimi është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin nr. 8737/2001, pasi subjekti i emëruar nuk plotësonte as kriteret e përgjithshme dhe as ato të posaçme të përcaktuara nga ligji për ushtrimin e funksionit të prokurorit. Për rrjedhojë, akti konsiderohet nul ab initio (që nga fillimi), pra juridikisht i paekzistent dhe i paaftë për të prodhuar pasoja të vlefshme.”
Sipas tyre, kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me një emërim individual, por prek një parim themelor: ligjshmërinë e burimit të pushtetit publik.
“Nëse një funksion kaq i rëndësishëm si ai i prokurorit mund të ushtrohet jashtë kritereve ligjore, atëherë vihet në kërcënim të drejtpërdrejtë vetë shteti i së drejtës dhe garantimi i të drejtave themelore të qytetarëve.
Padia argumenton se të gjitha veprimet e ndërmarra nga një subjekt i emëruar në kundërshtim me ligjin janë të ekspozuara ndaj pavlefshmërisë, përfshirë edhe ato që kanë prodhuar pasoja të drejtpërdrejta mbi lirinë personale dhe funksionimin e institucioneve publike, në këtë rast edhe të Bashkisë së Tiranës”, thuhet më tej.
Kujtojmë që Veliaj ka kërkuar edhe në ILD dhe KLP procedimin disiplinor ndaj prokurorit Ols Dado, lidhur me shkeljet që pretendon se ka kryer në shqyrtimin e çështjes penale në ngarkim të tij.
Ai madje e ka akuzuar prokurorin se e ka fyer gjatë një seance. Veliaj është duke qëndruar në paraburgimin e Durrësit që prej 13 Shkurtit të vitit të kaluar.
Lini një Përgjigje