Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, ka reaguar publikisht një ditë pas largimit nga detyra, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë një mesazh falënderimi dhe reflektimi mbi punën e tij në krye të sistemit penitenciar.
Në reagimin e tij, Qose shpreh mirënjohje për besimin e dhënë për drejtimin e institucionit, duke vlerësuar bashkëpunimin me stafin dhe institucionet gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës.
“Me mirënjohje për besimin që më është dhënë për të drejtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, në këtë moment të përfundimit të detyrës sime, dua të ndaj me të gjithë ju një falënderim të sinqertë për gjithçka që kemi arritur së bashku”, shkruan Qose.
Ai thekson rolin e punonjësve të sistemit penitenciar, duke vënë në dukje sfidat e punës së tyre dhe përkushtimin në përmbushjen e detyrës.
“Së pari, dua të falënderoj dhe t’u përcjell gjithë mirënjohjen time të gjithë punonjësve të këtij sistemi për përkushtimin, profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e treguar në përmbushjen e detyrës, pavarësisht të gjitha vështirësive dhe sfidave”, shprehet ai.
Në mesazhin e tij, ish-drejtori falënderon gjithashtu drejtuesit politikë dhe bashkëpunëtorët institucionalë, duke përmendur Kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë për mbështetjen e dhënë gjatë mandatit.
“Me konsideratë të veçantë falënderoj Kryeministrin z. Edi Rama për besimin dhe vlerësimin… si dhe ministrat e Drejtësisë për bashkëpunimin e vazhdueshëm,” thuhet në reagim.
Qose shpreh mirënjohje edhe për partnerët ndërkombëtarë, përfshirë përfaqësues të ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare, për kontributin në forcimin e sistemit penitenciar dhe afrimin e tij me standardet europiane.
Lini një Përgjigje