
Policia e Gjirokastrës ka proceduar penalisht djalin e shefit të krimeve në Përmet, i cili u pezullua pas skandalit seksual që shpërtheu pak ditë më parë. Ishte gazetari Pirro Nase ai që zbuloi pezullimin, por pas daljes së lajmit, ai ka marrë kërcënime nga familjarët e Dhurim Çenkos.
Policia njofton se ka marrë denoncimin e gazetarit Pirro Nase, i cili ka kallzuar se është fyer dhe kanosur nëpërmjet telefonit për shkak të detyrës së tij. Sipas gazetarit ai është kërcënuar nga shtetasi B. Ç., 21 vjeç, banues në Gjirokastër. Rezulton se bëhet fjalë për Boris Çenko, djalin e zyrtarit policor.
Pas kallëzimit, policia e ka shoqëruar në komisariat dhe, pas konsultimeve me prokurorin, ka nisur procedim penal ndaj tij. Më pas e ka liruar.
“Strukturat e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, pas kallëzimit të bërë sot nga shtetasi P. N., 51 vjeç, banues në Gjirokastër, me profesion gazetar, se është fyer e kanosur nëpërmjet celularit, për shkak të detyrës, nga shtetasi B. Ç., kanë reaguar menjëherë duke shoqëruar në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, shtetasin B. Ç”, njofton Policia e Gjirokastrës
Materialet janë dërguar për ndjekje të mëtejshme në Prokurorinë e Gjirokastrës.
Lini një Përgjigje