
SPAK dhe partnerët europianë ndjekin rrjetet që kanë zhvatur miliona euro përmes platformave të rreme ‘forex’...
Në Shqipëri, pas fasadës së dhjetëra qendrave të marketingut dhe “shërbimeve telefonike”, fshihet një rrjet i organizuar që zhvillon një nga mashtrimet më fitimprurëse të dekadës. Këto janë call center-at “forex”, qendra që çdo ditë grabisin miliona euro nga qytetarë të vendeve të Bashkimit Europian përmes platformave të rreme të investimeve.
Burime të Pamfletit konfirmojnë se SPAK ka marrë disa letërporosi nga autoritetet gjermane dhe spanjolle që lidhen me këtë aktivitet, ndërsa përgatitet një aksion i gjerë në të gjithë territorin.
Si u krijua industria e grabitjes dixhitale
Pas vitit 2017, dhjetëra kompani u regjistruan në QKB si “Call Center” për shërbime telemarketingu dhe konsulence financiare. Në realitet, ato përdoreshin si bazë për operacione mashtrimi. Personat që drejtojnë këto qendra kanë qenë pjesë e rrjeteve të mëparshme në Bullgari, Rumani dhe Gjeorgji, të cilat u mbyllën pas aksioneve ndërkombëtare.
Modeli është i thjeshtë: një numër i kufizuar personash zotërojnë databaza me mijëra kontakte të qytetarëve europianë, të mbledhura në mënyrë të paligjshme përmes brokerëve të jashtëm. Këto lista ndahen në celula të ndryshme që punojnë në mënyrë të pavarur. Secila celulë ka një menaxher lokal, 10 deri në 50 punonjës, dhe një hallkë që raporton tek drejtoria qendrore e rrjetit.
Punonjësit kontaktojnë qytetarët, prezantohen si “këshilltarë financiarë” dhe i nxisin të investojnë në platforma që imitojnë bursat reale. Pasi klienti depoziton 250 ose 500 euro, sistemet tregojnë fitime të rreme. Kur investohen shuma më të mëdha, paratë zhduken. Ato transferohen përmes pagesave “OTC” dhe llogarive të ndërmjetme në Qipro, Maltë, apo Emiratet e Bashkuara, dhe më pas rikthehen në Shqipëri përmes bizneseve mbuluese në ndërtim, turizëm dhe tregti.
Skema e fshehjes: një numër, shumë duar
Në terren, funksionon një model i qëllimshëm i shpërndarjes së përgjegjësisë. Një individ zotëron disa lista me numra telefoni dhe i shpërndan ato tek disa grupe të ndryshme. Të gjitha grupet punojnë me të njëjtët numra, duke i telefonuar të njëjtët qytetarë në orare të ndryshme dhe nën emra të ndryshëm kompanish.
Kjo strategji e bën pothuajse të pamundur ndjekjen e gjurmëve, sepse çdo klient që ankohet nuk mund të identifikojë dot se kush e ka telefonuar. Rrjeti krijon kështu një “mburojë operative” ndaj hetimeve. Në momentin që nis një kontroll, të dhënat fshihen, numrat ndërrohen dhe një qendër e re hapet në një adresë tjetër brenda 24 orësh.
Rrjeti i pagesave dhe zinxhiri i kontrollit
Drejtuesit e celulave nuk përdorin llogari bankare. Paratë lëvizin në dorë. Për çdo punonjës, pagesa mujore ndahet në tre pjesë: paga personale, komisioni për menaxherin dhe “taksa e sigurisë” për strukturat që garantojnë mbrojtje.
Kjo e fundit është pjesa më delikate e sistemit. Në çdo qendër mashtruese, ekziston një marrëveshje e heshtur me persona të përfshirë në polici, që garantojnë mosndërhyrje. Sipas burimeve, për çdo punonjës aktiv, drejtuesi i call center-it paguan nga 500 deri në 1000 euro në muaj. Nëse një qendër ka 30 punonjës, pagesa totale mujore ndaj zinxhirit të korruptuar varion nga 15 mijë deri në 30 mijë euro.
Këto para dorëzohen në cash përmes ndërmjetësve që kanë lidhje të drejtpërdrejta me oficerë të rendit apo të krimit ekonomik. Marrëveshja u garanton tre shërbime të qarta:
Mosndërhyrje dhe heshtje gjatë aktivitetit. Askush nuk kontrollon hyrjet, oraret apo fluksin e telefonatave.
Paralajmërim për aksione. Kur një njësi kontrolli niset për inspektim, sinjali jepet paraprakisht.
Punonjësit largohen, pajisjet fshihen dhe sistemi mbyllet.
Riapje nën emër të ri. Pas çdo kontrolli, qendra hapet sërish me administrator dhe NIPT tjetër.
Në disa raste, punonjësit i quajnë këto pagesa e “abonesë mujore të policisë”. Ky sistem ka funksionuar për vite të tëra, duke e kthyer korrupsionin në pjesë integrale të zinxhirit të mashtrimit.
Nga mashtrimi financiar te pastrimi i parave
Pasi paratë dalin nga sistemi “forex”, ato qarkullojnë përmes rrjeteve lokale. Disa kompani ndërtimi, agjenci udhëtimesh dhe operatorë tregtarë përdoren për të justifikuar flukset e të ardhurave. Kapitalet e reja investohen në pasuri të paluajtshme, makina luksoze dhe aktivitete që shërbejnë për legalizimin e fitimeve të paligjshme.
Në disa raste të dokumentuara, individë të përfshirë në call center-a mashtrues janë bërë ortakë në kompani që kanë marrë kontrata publike ose licenca nga institucionet shtetërore. Kjo tregon se rrjeti nuk është më vetëm ekonomik, por ka depërtuar në struktura politike dhe administrative.
Pas presionit të partnerëve europianë dhe depozitimit të dhjetëra letërporosive, SPAK ka nisur verifikimet për disa kompani të regjistruara si “qendra marketingu” në Tiranë, Durrës dhe Shkodër. Hetimi përfshin edhe oficerë të policisë që kanë pasur kontakte të drejtpërdrejta me drejtuesit e rrjeteve.
Sipas burimeve të Pamfletit, disa prej këtyre qendrave janë identifikuar si pjesë e një rrjeti më të gjerë që përfshin kompani të regjistruara jashtë vendit, të cilat operojnë në sinkron përmes ndërmjetësve shqiptarë.
Në fazën e parë, pritet goditja e dy celulave kryesore në Tiranë dhe Durrës, që dyshohen se kanë gjeneruar mbi 10 milionë euro fitime të paligjshme në dy vitet e fundit.
Toka e minuar e mashtrimeve dixhitale
Industria e call center-ave mashtrues është kthyer në një sistem që kombinon teknologjinë, mashtrimin financiar dhe korrupsionin e shtetit. Kjo është arsyeja pse, pavarësisht ekspozimit ndërkombëtar, rrjeti vijon të funksionojë.
Pamfleti disponon një listë të plotë individësh dhe kompanish të përfshira në këto struktura. Disa prej tyre kanë ndërtuar vila dhe biznese me fitime të përfituara nga mashtrimet ndaj qytetarëve europianë.
Terreni është i mbushur plot. Tani mbetet të shihet cilat celula do të bien të parat dhe kush do të mbajë përgjegjësi për pastrimin e miliarda eurove që kanë kaluar përmes Shqipërisë, nën hundën e institucioneve që duhet të kishin vepruar kohë më parë. /Pamfleti
Këta këlyshe jan nga punonjesi hallexhi deri te politika një ha therime tjetri sdi ku ti mbaje.