Gazetari i "Report TV", Piro Nase është kërcënuar nga familjarët e Dhurim Çenkos, shefit të Krimeve në Përmet, pas raportimit se ai ishte në dijeni të abuzimit të 16-vjeçares nga njerku polic dhe kolegu i tij dhe nuk kishte marrë masa.
Pas publikimit të lajmit, gazetari ka marrë telefonata kërcënuese ndërsa për këtë ngjarje ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë.
Asociacioni i Gazetarëve kërkon me urgjencë që strukturat e policisë dhe Prokuroria e Gjirokastrës të nisin menjëherë hetimet dhe të dalin para përgjegjësisë autorët e kërcënimeve.
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është i tronditur nga kërcënimet ndaj kolegut tonë të Report TV Piro Nase.
AGSH është vënë në dijeni të një kërcënimi me jetë ndaj gazetarit Piro Nase nga familjarët e shefit të Krimeve në Përmet i pezulluar pas raportimeve se ishte në dijeni të një abuzimi seksual me të mitur.
Menjëherë pas lajmit të raportuar nga Nase, ai ka marrë telefonata kërcënuese nga familjarët e efektivit për të cilat AGSH është vënë në dijeni dhe ka mundur të shohë e dëgjojë provat e kërcënimit.
Ne kërkojmë me urgjencë që strukturat e policisë dhe Prokuroria e Gjirokastrës të nisin menjëherë hetimet dhe të vendosin përgjegjësisë autorët e kërcënimeve.
Ne i qëndrojmë në krahë kolegut Nase dhe e inkurajojmë atë të vijojë shërbimin ndaj qytetarëve me korrektësi dhe guxim”, thuhet në reagim.
Lini një Përgjigje