
Kaos në akset rrugore në Qarkun e Lezhës, duke i kthyer ato në një makth për pushuesit e banorët e zonës.
Veçanërisht gjatë ditës së sotme janë raportuar pothuajse në çdo orë të ditës bllokime të trafikut, madje drejtuesve të autromjeteve i është dashur 2 deri në 4 orë për të përshkruar 15 kilometra rrugë.
Rradhë kilometrike makinash janë krijuar, të ngjashme me ato që raportohen në kufijtë tokësore me Greqinë, sa herë që pala greke mbyll sportelet apo punon me personel të reduktuar.
Nga raportimet mësohet se rrethrrotullimi i Fushë-Milotit është pika më problematike, ndërsa këtu përqëndrohet fluksi më i lartë i mjeteve, të cilët vijnë nga Kosova dhe Tirana.
Ndërsa termometri gjatë ditës së sotme ka shënuar 40-41 gradë celcius, qytetarëve, përfshi edhe turistëve i është dashur të qëndrojnë në trafik me orë të tëra. Kjo situatë nuk është rastësore, as për një ditë, por një situatë e cila krijohet në çdo sezon turistik dhe askush nuk jep zgjidhje.
Madje një ngarkesë e tillë apo fluks i tillë lëvizjesh ka nxjerrë jashtë loje edhe policinë e qarkullimit rrugor. Kjo e fundit ka qenë prezente në disa pika që i konsideron strategjike, por duket se nuk ka gjetur zgjidhje.
Dhe nëse nuk ka një të tillë, atëherë mijëra qytetarë që i duhet të kalojnë në aksin Laç-Lezhë, duhet të marrin parasysh se mund të qëndrojnë në trafik edhe 4 apo 5 orë, kohë e humbur që askush nuk ua kompenson apo ia kthen mbrapsht.
Lini një Përgjigje