
“Mesazhi im për kriminelët e huaj është i qartë: ‘thyeni ligjet e Britanisë dhe do të dëboheni në kohë rekord’”...
Mbretëria e Bashkuar ashpërson masat ndaj personave të dënuar për krime të ndryshme, të cilët vuajnë dënimet në burgjet e ishullit, do të deportohen drejt vendeve të tyre. Ka qenë Sekretarja e Drejtësisë, Shabana Mahmood, e cila bëri të ditur masat e reja, që përmbyllen me kthimin e çdo të dënuari në vendin e origjinës.
E gjithë kjo skemë e re që pritet të miratohet dhe aplikohet llogaritet t'u kursejë taksapaguesve të Mbretërisë së Bashkuar pothuajse 600 milionë paund në vit.
Të dënuarit, përfshirë përdhunuesit, hajdutët dhe trafikantët e drogës, të cilëve u janë dhënë dënime me burgim, do të përballen me deportim të menjëhershëm .
Shkelësit e ligjit që deportohen më pas ndalohen të rihyjnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Terroristët, vrasësit dhe të tjerët të lindur jashtë vendit që vuajnë dënime të përjetshme do të duhet të përfundojnë dënimin e tyre me burg përpara se të merren në konsideratë për deportim.
Zonja Mahmood i tha The Sun se “mesazhi im për kriminelët e huaj është i qartë: ‘thyeni ligjet e Britanisë dhe do të dëboheni në kohë rekord.’”
"Ata që kanë abuzuar me mikpritjen krenare të këtij vendi nuk duhet të presin akomodim dhe ushqim falas me shpenzimet e taksapaguesve.

Pra, sot, po njoftoj deportimin e menjëhershëm pas dënimit”, sqaroi ajo.
Në vijim, zyrtarja britanike tha se “kjo do të përshpejtojë largimet e shkelësve të huaj që mbushin burgjet tona, me deportimet që tashmë janë rritur me 14 përqind krahasuar me të njëjtën kohë vitin e kaluar.”
Një ndryshim ekzistues në ligj, që pritet të hyjë në fuqi muajin e ardhshëm, parashikon që të burgosurit e huaj do të përballen me deportim sapo të kenë kryer 30 përqind të dënimit të tyre në vend të 50 përqind që është aktualisht.
Por sipas ndryshimit të fundit, që do të hyjë në fuqi në Vitin e Ri, ata do të dërgohen direkt në shtëpi. Masa do të zbatohet për të gjithë të huajt në paraburgim dhe ata të dënuar rishtazi.
Numri i shkelësve të huaj në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar tani është më i lartë se në çdo moment që nga viti 2013.
Në fund të qershorit, në qelitë e burgjeve në Mbretërinë e Bashkuar ndodheshin 10722 kriminelë dhe të dyshuar të huaj, përfshirë 1,731 për vepra penale seksuale.

Tatimpaguesit paguajnë 54,000 £ në vit për secilin vend.
Kritikët kanë ngritur shqetësime se të burgosurit mund të përpiqen të përdorin ligjet e të drejtave të njeriut për të shmangur deportimet.
Burime qeveritare vunë në dukje planet për të ashpërsuar përdorimin e Nenit 8, të së drejtës për një jetë familjare, nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Të dhënat e fundit nga Ministria e Drejtësisë tregojnë se më 30 qershor 2025 kishte 10,772 shtetas të huaj në paraburgim .
Ata përbënin 12 përqind të popullsisë totale të burgjeve prej 87,334 personash. Shqiptarët përbëjnë përqindjen më të madhe të të huajve në burgje.
Si do të funksiononte?
Një shtetas i huaj dënohet me paraburgim në Britani.
Që nga momenti që ai dënohet, Mbretëria e Bashkuar fillon punën për deportimin e tyre.
Sapo të jepet urdhri i dëbimit, ata largohen nga vendi.
Aktualisht, ekziston një mundësi ku ata duhet të vuajnë gjysmën e dënimit të tyre fillimisht, në një nga burgjet. /Përshtatur nga The Sun/
Lini një Përgjigje