
Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 1 milion euro të ish-shefit të Forcave Operacionale, Oltion Bistri, i arrestuar në kuadër të operacionit ‘Metamorfoza’.
Eksperti i Kriminalistikës Ervin Karamuço në një intervistë në “Tirana Live” në “ABC” foli për hetimin pasuror të ndërmarrë ndaj Bistrit, teksa theksoi se akuzat ndaj tij do të rëndohen.
Një tjetër detaj të cilën Karamuço e ndau gjatë kësaj intervistë është fakti se Oltion Bistri në mënyrë të paligjshme ka mbajtur nën vëzhgim Taulant Ballën, ngjarje e ndodhur në vitet 2018-2019. Ndërsa theksoi se ish-shefi i Forcave Operacionale Bistri ka shkaktuar përplasje të forta mes politikës dhe Policisë së Shtetit.
“Shtohen akuzat dhe me verifikimin pasuror do t’i shtohet edhe akuza e fshehjes së pasurisë. SPAK ka ndërmarrë një hetim duke rikuperuar dy filtra që nuk kanë funksionuar nga pikëpamja institucionale që janë inspektorati i lartë i deklarimit të pasurisë dhe drejtoria e informacionit. Askush nuk ka ngritur dyshime se nga i kishte të ardhura ky person, asnjëherë nuk u hetua edhe integriteti i këtij personi.
Ky person ka mbajtur në vëzhgim në mënyrë të paligjshme dhe atë që është sot ministri i Brendshëm i Policisë, Taulant Balla. Kemi të bëjmë me një subjekt me shumë dritëhije që ka bashkëpunuar edhe me segmente të krimit. Tre persona kanë qenë në tavolinë, Taulant Balla dhe një funksionar tjetër i lartë i PS, kanë pikasur një person që ka bërë vëzhgime. Ka shkaktuar shumë probleme në atë kohë dhe përplasje mes politikës dhe Policisë së Shtetit ku emri i tij është përmendur në disa raste. Kjo ndodh kur personat nuk bëjnë punën e Policisë së Shtetit, por shpërdorojnë detyrën”, tha Karamuço.
Lini një Përgjigje