
Gazetari Enton Abilekaj, duke komentuar aksionin e fundit të kryeministrit për lirimin e hapësirave publike, u shpreh se Edi Rama po godet qeverisjen e vet për të mbuluar dështimet e 12 viteve të fundit.
Sipas tij, ky aksion tregon se institucionet kanë dështuar gjatë gjithë kësaj periudhe në kontrollin e territorit. Më tej ai theksoi se pas disa javësh aksioni do të harrohet dhe do të nisë sërish zaptimi i hapësirave publike.
“Po vjen koha që ta shohim qartë. Nuk jemi më kuriozë, sepse nga gjithë këto pritshmëri nuk ka dalë ndonjë gjë e madhe. Ajo që po bën Rama praktikisht, është se po godet qeverisjen e vet, Rama kundër qeverisjes Rama. Ai përpiqet t’u tregojë njerëzve se ky mandat i katërt nuk është kot. Për këtë arsye, po godet tre mandatet e para. Sigurisht, kjo po bëhet në mënyrë tërësisht partizane. Deri më tani, institucionet kanë dështuar në kontrollin e territorit.
Në vend të një aksioni të përkohshëm, duhet të fillojë një periudhë e re, me ristrukturim të thellë të institucioneve. Por një analizë dhe reflektim i tillë nuk do të ndodhë, sepse do të kemi vetëm një fushatë kalimtare, e cila më pas do të zhbëhet dhe gjithçka do të kthehet si më parë, korrupsioni, tenderat, ndërtime me ose pa leje, bakshishet dhe ryshfeti. Kjo që po bën Rama është një sulm i organizuar jo vetëm ndaj qeverisjes së tij, por edhe ndaj institucioneve të pavarura. Ai vendos vetë edhe për prishjen e ndërtesave me leje, duke futur shtetin në borxh me privatin, borxh që më pas përkthehet në vendime gjyqësore në dëm të qytetarëve shqiptarë. Është një lëvizje demonstrative, e papërgjegjshme dhe e organizuar vetëm për të treguar se mandati i katërt ka nisur dhe se nuk ka kohë për të humbur”, tha Abilekaj për "Syri Tv".
Lini një Përgjigje